BQK-ja dhe sektori bankar avancojnë përgatitjet për funksionalizimin e pagesave të shpejta përmes projektit TIPS Clone

10 shtator 2026 | 13:49

Në vazhdën e aktiviteteve për modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe avancimin e integrimit financiar me standardet evropiane, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) zhvilloi një takim me drejtuesit e bankave për të diskutuar progresin e sistemit të pagesave të shpejta përmes projektit TIPS Clone, për funksionalizimin e tij deri në fund të këtij viti, si dhe zhvillimin e mëtejmë të shërbimeve që do të mbështeten në këtë infrastrukturë moderne të pagesave.

Ngjarja është vijimësi e takimeve të mëparshme rreth koordinimit të duhur ndërmjet BQK-së dhe sektorit bankar, me fokus në gatishmërinë institucionale, teknike dhe operative për vënien në funksion të sistemit, modelin e pjesëmarrjes dhe funksionimit, si dhe hapat e nevojshëm për sigurimin e një zbatimi të suksesshëm.

Në mesazhin e tij, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili theksoi se projekti TIPS Clone përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme për modernizimin e sektorit financiar në Kosovë dhe një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet dhe infrastrukturat evropiane të pagesave.

Ai vlerësoi se sistemi do të mundësojë realizimin e pagesave të menjëhershme në kohë reale, 24-orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe gjatë gjithë vitit, duke ofruar shërbime më të shpejta, më efikase dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset.

Nga BQK u vlerësua se TIPS Clone dhe SEPA janë projekte plotësuese dhe strategjike për zhvillimin e tregut financiar.

Përderisa SEPA ofron kornizën për integrimin në tregun evropian të pagesave, TIPS Clone krijon infrastrukturën që mundëson pagesa të shpejta, rrit efikasitetin e shërbimeve të pagesave dhe krijon bazën për zhvillimin e zgjidhjeve të reja digjitale.

U theksua se faza aktuale e projektit do të fokusohet në pagesat e shpejta brenda vendit, ndërsa në fazat pasuese synohet zgjerimi drejt pagesave rajonale ndërkufitare, në përputhje me zhvillimet e përbashkëta në Ballkanin Perëndimor, pjesë e projektit TIPS Clone.

Në perspektivë, objektiv strategjik mbetet ndërlidhja e kësaj infrastrukture me ekosistemin evropian të pagesave, duke mbështetur më tej integrimin financiar dhe pjesëmarrjen e Kosovës në SEPA.

Për realizimin e këtij projekti strategjik, BQK-ja ka siguruar mbështetje financiare përmes grantit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të financuar nga Banka Botërore, në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kjo mbështetje do të kontribuojë në zhvillimin dhe funksionalizimin e infrastrukturës së pagesave të shpejta, si dhe në avancimin e komponentëve të tjerë të projektit, në nivel të sektorit financiar të vendit.

BQK-ja do të vazhdojë koordinimin e ngushtë me sektorin bankar dhe partnerët ndërkombëtarë, duke përcjellë nga afër avancimin e përgatitjeve dhe duke mbështetur zbatimin e suksesshëm të projektit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të marrë pjesë…