Program i ri strehimi në Shqipëri, Rama: 7 mijë banesa do të jepen në Tiranë më 2027

10 shtator 2026 | 16:53

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se qeveria synon të japë 7 mijë banesa për strehim në Tiranë gjatë vitit 2027, në kuadër të një programi të ri kombëtar të strehimit.

Rama ka deklaruar se, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të finalizohet plani për përmbylljen e procesit të rindërtimit në zona si Kombinati, “5 Maji” dhe pjesë të tjera të kryeqytetit.

Sipas tij, Fondi Kombëtar i Strehimit do të mbështetet edhe nga fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa Enti Kombëtar i Banesave do të shndërrohet në një kompani publike, e cila do të realizojë investime përmes partneriteteve.

“Bashkitë do të bashkëpunojnë me Entin e Banesave, që do të kthehet në kompani publike. Nuk do të bëjë tendera, por do të bëjë partneritete, do të investojë. Ne do të ecim drejt dhe do të shohim vetëm përpara”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shpjeguar gjithashtu formulën e re të ndërtimit dhe rindërtimit, e cila, sipas tij, do të ndahet në 30 për qind banesa sociale, 40 për qind banesa të përballueshme dhe 30 për qind për gjenerimin e të ardhurave.

Rama ka kritikuar ndërkohë administrimin e Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar situatën e krijuar në kryeqytet si një “eksperiment social” që, sipas tij, ka prodhuar pasoja veçanërisht për familjet që presin strehim pas tërmetit.

“Eksperiment i rëndë dhe i dështuar”, është shprehur ai.

Kryeministri shqiptar ka thënë se programi i ri nuk është vetëm një zotim elektoral, por pjesë e programit kombëtar të strehimit, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të publikohen edhe thirrjet për personat e interesuar.

“4 mijë çelësat e njërit program dhe 3 mijë çelësat e programit tjetër, bëjnë 7 mijë çelësa për vitin 2027”, ka theksuar Rama.

Programi qeverisës i Shqipërisë përfshin gjithashtu zgjerimin e fondit të banesave sociale dhe ndërtimin e të paktën 1,500 njësive të reja të banimit me kosto të ulët deri në vitin 2029.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vendim i papritur ka tronditur kombëtaren zvicerane. Noah Okafor…