Arrestohet një person për marrje ryshfeti, bastisen dy lokacione në Prishtinë e Gjilan
Një person është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas dy bastisjeve të realizuara në Prishtinë dhe Gjilan.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, bastisjet janë kryer me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Aksioni është realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimeve lidhur me një rast të dyshuar të tjetërsimit të një prone.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar personi me inicialet V.M., ndaj të cilit Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar sende dhe materiale, të cilat dyshohet se mund të jenë relevante për hetimin.
Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë bërë me dije se veprimet hetimore lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.



