Ky është i paraburgosuri që vdiq në QKUK
Një i paraburgosur ka ndërruar jetë mbrëmë në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi gjatë ditës kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftuan se bëhet fjalë për të paraburgosurin me inicialet K.K., i cili po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Korab Kabashi.
Sipas njoftimit zyrtar, ai gjatë ditës kishte shfaqur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje. Pavarësisht trajtimit nga personeli shëndetësor në burg, gjendja e tij nuk ishte përmirësuar.
Për shkak të nevojës për konsultim specialistik, mjeku kujdestar kishte kërkuar që ai të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë. Fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa rreth orës 18:00 ishte transferuar në QKUK.
Pas pranimit në QKUK, sipas SHKK-së, kanë nisur menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimi nga stafi mjekësor.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij nuk është përmirësuar dhe rreth orës 23:20 ka ndërruar jetë.
Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet përmes autopsisë.



