Thaçi para vendimit: Prokuroria tha se gjoja i mashtrova ndërkombëtarët, diplomatë të respektuar erdhën si dëshmitarë
Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë intervistën e fundit para vendimit në Hagë, ku ai dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim.
Thaçi, në një intervistë për Top Channel, foli shkurt për akuzat e Prokurorisë, duke përmendur edhe ndërkombëtarët.
Ai u shpreh se partnerët ndërkombëtarë ishin në terren, ndërsa përmendi edhe dëshmitë e diplomatëve dhe komandantëve të njohur ndërkombëtarë.
“Demokracitë perëndimore na ndihmuan kur e kuptuan qartë qëllimin dhe mjetet për realizimin e synimit tonë. Ne ishim plotësisht transparent me shtetet me partnere. Tani prokuroria thotë se gjoja … Thaçi i ka mashtruar ndërkombëtaret, ky pretendim sa është qesharak, po aq është absurd dhe ofendues. Ndërkombëtarët ishin me ne në terren. Ata e njihnin shumë mirë me objektivin dhe nivelin modest e autentik të përpjekjeve per organizimin e rezistences. Diplomatë dhe ushtarakë të respektuar amerikanë e evropianë erdhën si dëshmitarë dhe e deklaruan te vërtetën edhe në sallën e gjyqit”, tha Thaçi.
Mes tjerash, presidenti ka thënë se Kosova duhet të merret më pak me histori dhe të punojë më shumë për stabilitetin shtetëror dhe mirëqenien qytetare.
“Vlerat e rezistencës për çlirim dhe shtet do të kapërcejnë procese e procese, do të kapërcejnë mandate liderësh, kryeministrash e presidentësh. Pra, do të jetojnë dekada, shekuj e mijëvjeçarë në historinë e kombit shqiptar.
Natyrisht, si të gjitha historitë e kombeve, edhe historia e Kosovës do të interpretohet dhe riinterpretohet. Me kalimin e kohës, ajo edhe do të evoluojë, do të transformohet, por kurrë askush nuk do të arrijë ta tjetërsojë”, u shpreh ai.
“Kosova kishte shumë histori, por i mungonte liria dhe shtetësia. Sot është koha që Kosova të merret më pak me histori e më shumë të punojë për stabilitetin shtetëror dhe mirëqenien qytetare.
Sa më shumë merremi me histori, aq më gjatë do të vazhdojnë deformimi politik dhe stanjacioni ekonomik”, tha tutje Thaçi.



