Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Komuna e Prishtinës nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për skriningun e skoliozës te nxënësit

10 shtator 2026 | 23:29

Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e një projekti hulumtues që synon vlerësimin e shëndetit të shtyllës kurrizore dhe identifikimin e hershëm të shenjave të skoliozës dhe deformimeve posturale te nxënësit e moshës 9–14 vjeç në shkollat e Prishtinës.

Memorandumi u nënshkrua nga Dr. Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, dhe z. Arianit Elshani, Drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, duke formalizuar bashkëpunimin institucional ndërmjet sektorit shëndetësor dhe atij arsimor për realizimin e aktiviteteve hulumtuese dhe promovuese në funksion të shëndetit dhe mirëqenies së nxënësve.

Projekti, i titulluar “Skriningu i skoliozës dhe deformimeve të shtyllës kurrizore te nxënësit e Prishtinës 9–14 vjeç”, synon të vlerësojë shpeshtësinë e shenjave klinike të skoliozës dhe asimetrive posturale, si dhe të analizojë faktorë të ndryshëm që mund të ndërlidhen me shëndetin muskuloskeletal të fëmijëve.

Në kuadër të hulumtimit do të realizohen skriningu klinik, vlerësimi i qëndrimit postural dhe matja e parametrave antropometrikë. Gjithashtu, do të vlerësohen pesha, mënyra dhe kohëzgjatja e bartjes së çantave shkollore, si dhe lidhja e mundshme e këtyre faktorëve me dhimbjen e shpinës, lodhjen dhe shqetësimet muskuloskeletore.

Një rëndësi e veçantë e projektit është identifikimi i hershëm i nxënësve që mund të kenë nevojë për vlerësim të mëtejshëm specialistik. Rastet për të cilat, bazuar në vlerësimin profesional, kërkohet ekzaminim shtesë, do të referohen për vlerësim specialistik, sipas indikacionit klinik.

Rezultatet e hulumtimit do të shërbejnë si bazë për një kuptim më të mirë të gjendjes së shtyllës kurrizore te nxënësit e Prishtinës dhe për orientimin e hapave të mëtejshëm në këtë fushë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një i paraburgosur ka ndërruar jetë mbrëmë në Klinikën e…