Tahiri nga Haga: Qeveria Kurti kufizoi shpenzimet, shumë kërkesa të mbrojtjes nuk i mbështeti
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i mbështetur ish-krerët e UÇK-së, gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
Në emisionin Rubikon që është transmetuar nga Haga, Tahiri ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka kryer punën e saj karshi katërshes së UÇK-së.
“Ta them qartë që ta kuptojë secili qytetar i Republikës së Kosovës, si rezultat i mosfinancimit nga Qeveria e Kosovës, dy nga avokatët kryesorë, njëri i presidentit Thaçi dhe tjetri i kryetarit Veseli, e kanë lënë procesin gjyqësor për shkak të të pamundësisë që të financohen për angazhimit të tyre, nga fondi që është themeluar për këtë qëllim.”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se këto gjashtë vite kanë qenë me shumë dhimbje, e me shumë vështirësi për familjarët dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, pasi sipas tij, ekzekutivi kosovar ka kufizuar shpenzimet për procesin gjyqësor në Hagë.
“Janë me dhjetëra kërkesa, mund të them ndoshta me qindra kërkesa për të dyja fondacionet, të cilat nuk janë përmbushur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Këto janë tarifa të qartë të avokatëve që janë të angazhuar nëpër procese ndërkombëtare dhe fatkeqësisht Qeveria e Kosovës ka vendosur një tarifë fikse që as për së afërmi nuk i ka arritur t’i mbulojë shpenzimet e mbrojtjes.”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se i gjithë procesi që është financuar nga Qeveria e Kosovës për të gjithë të akuzuarit, jo vetëm për katërshen e UÇK-së, ka shkuar diku rreth 40 milionë euro.
“Është fatkeqësi që këto gjashtë vite kanë qenë shumë të dhimbshme dhe shumë të rënda për familjen, neve, mbrojtjen, për të gjithë. Një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Ne e kemi bërë ligjin për t’i mbrojturit të akuzuarit.”, ka thënë ai.
Në fund, ai ka deklaruar se pret që nesër verdikti të bazohet në fakte dhe që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm.



