Sot aktgjykimi për katër krerët e UÇK-së, populli pret lirimin e tyre
Pas gati gjashtë vjetësh nga arrestimi i tyre, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të përballen sot me vendimin e shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Katër ish-krerët e UÇK-së do ta dëgjojnë në Hagë vendimin e parë gjyqësor për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Aktgjykimi do të shpallet duke nisur në orën 10:00, ndërsa seanca pritet të zgjasë rreth dy orë. Vendimi do të shpallet veçmas për secilin prej katër të akuzuarve.
Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti i Kosovës dhe ish-komandanti politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, si dhe ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi.
Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar dënime të gjata me burgim, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar akuzat dhe pretendimet mbi përgjegjësinë e të akuzuarve.
Procesi gjyqësor ka kaluar nëpër më shumë se katër vite procedura në Hagë dhe ka përfshirë dëgjimin e më shumë se 100 dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë. Mbrojtja ka paraqitur dëshmitarë dhe argumente që kanë kundërshtuar, ndër të tjera, pretendimin për ekzistencën e një strukture të centralizuar komanduese të UÇK-së.
Vendimi i sotëm do të merret nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara, ndërsa Gjykata ka theksuar se aktgjykimi do të shpallet nga një panel gjyqtarësh të pavarur.
Për Kosovën, dita vjen pas javësh pritjeje dhe mobilizimi publik. Në Prishtinë është mbajtur “Marshi për Liri”, ku mijëra qytetarë kanë shprehur mbështetje për katër ish-krerët e UÇK-së, ndërsa në qendër të kryeqytetit është organizuar edhe “Ora e Pritjes”, si numërim mbrapsht drejt shpalljes së aktgjykimit.
Edhe në Hagë është rritur prania e mbështetësve, ndërsa autoritetet holandeze kanë marrë masa shtesë sigurie rreth objektit të Dhomave të Specializuara. Në Kosovë, ndërkohë, institucionet dhe misionet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kujdes gjatë ditës së aktgjykimit.
Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë, çështja nuk përfundon domosdoshmërisht. Prokuroria dhe mbrojtja kanë të drejtë të apelojnë vendimin, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në përputhje me rregullat e Dhomave të Specializuara.



