Mirëmëngjesi Kosovë, pa liderë dhe pa lidership!

17 shtator 2026 | 10:23

Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti 

Kosova pa busull në një ditë vendimtare

Shoqëria kosovare dje u soll si pulat pa kokë: me shumë konfuzion, padituri dhe papërgatitje. Një shoqëri e tërë nuk ishte përgatitur për asnjërin skenar , as nëse Gjykata do t’i dënonte, as nëse do t’i lironte.

Nuk kishte strategji për rezistencë demokratike dhe protestë paqësore, as plan për ta përballuar dëmin politik, shoqëror dhe historik të shkaktuar nga aktgjykimi i shkallës së parë. Por, me sa duket, nuk ishim përgatitur as për një vendim lirues dhe për mënyrën se si duhej pritur ai me dinjitet. (Me gjasë e dinim që tupana në shesh kemi)

Kosova u shfaq si një vend i lënë pa busull, pa koordinim institucional dhe pa udhëheqje. Reagimet e politikanëve të partive politike ishin të vakëta, të përgjithshme dhe pa substancë. Mungonin analiza juridike, qëndrimi politik dhe guximi për ta artikuluar qartë peshën e këtij vendimi për Kosovën, për historinë e luftës çlirimtare dhe për të ardhmen e vendit.

Nuk kishte reagim të denjë as nga i vetquajturi kryeministër. Në një çast që kërkonte përgjegjësi shtetërore dhe unitet politik, liderët heshtën ose u mjaftuan me deklarata formale, sikur bëhej fjalë për një ngjarje të largët dhe jo për një aktgjykim që preku themelet historike dhe politike të Republikës.

Njerëzit e afërt me ish-krerët e UÇK-së nuk dukeshin as nuk dëgjoheshin askund. Munguan ata që e njihnin procesin, dosjet, dëshmitë dhe historinë e kësaj çështjeje. Munguan juristët, diplomatët dhe figurat politike që duhej t’i shpjegonin publikut se çfarë kishte ndodhur, cilat ishin përgjegjësitë dhe çfarë duhej bërë më tej.

Në mungesë të tyre, turmat kërkonin përgjegjësi dhe reagime nga institucionet.
Në këtë boshllëk u shfaqën protestues në grupe të paorganizuara, pa qenë e qartë se kush i orientonte dhe cili ishte qëllimi i tyre. Kur mungon udhëheqja politike, hapësirën e zënë konfuzioni, manipulimi madje edhe aventurizmi.

Edhe drejtimi i pakënaqësisë ndaj Bashkimit Evropian, pa strategji të qartë politike dhe diplomatike, ishte gabim. Edhe më të pakuptimta ishin protestat para EULEX-it. EULEX-i nuk ka juridiksion vendimmarrës mbi Dhomat e Specializuara, nuk i shqipton dhe nuk mund t’i ndryshojë aktgjykimet e tyre. Dhomat e Specializuara u themeluan përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ndërmjet tyre nuk ekziston një marrëdhënie juridike hierarkike që i jep EULEX-it pushtet mbi ose të ndërvarur me Gjykatën Speciale.

Ndërkohë, njerëzit shkruanin në Facebook, kërkonin dikush t’i udhëheqë. Reagimi emocional e zëvendësoi mendimin politik, ndërsa rrjetet sociale e zëvendësuan liderdhipin. Pati zëra, por mungoi vizioni politik.

Ajo që u pa qartë, brenda dhe jashtë Kosovës, ishte mungesa e liderëve, mungesa e njerëzve që do ta orientonin reagimin qytetar, do ta mbronin dinjitetin e vendit dhe do ta artikulonin qëndrimin e Kosovës me përgjegjësi politike, juridike dhe diplomatike.

Një e vërtetë mbetet e pandryshueshme: shtëpia pa zot dhe shteti pa udhëheqje janë të destinuar të shpërbëhen. Kur mungon lidershipi, të tjerët e përcaktojnë fatin tënd, dhe e rishkruajnë historinë.

Ndoshta pikërisht ky ishte qëllimi: që Kosova të mbetej pa liderët e saj. Burgosja e liderëve e dobësoi shtetin. Duarfërkuesit nga këto burgosje që shtetin dhe pushtetin e menduan vetëm si privilegj, u treguan shumë të dobët.

Kosova ka nevojë për vetëdije politike, organizim institucional dhe udhëheqje të guximshme. Sepse shteti nuk mbrohet me deklarata të vakëta, reagime të çastit dhe turma pa drejtim. Shteti mbrohet me dije, strategji, përgjegjësi dhe me liderë që, kur historia i thërret, nuk fshihen pas heshtjes, nuk justifikohen por dëshmohen.

Kosova po pret.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një aksidenti të rëndë trafiku, ka ndërruar jetë në…