Lushtaku: Me prova të manipuluara dhe dëshmi të pabazuara dënuat Çlirimtarët

17 shtator 2026 | 10:35

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar një ditë pas vendimit të trupit gjykues në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lushtaku ka kritikuar ashpër vendimin, duke e cilësuar si “një padrejtësi historike dhe ndërkombëtare” ndaj çlirimtarëve dhe Kosovës.

Ai ka përmendur edhe përbërjen e trupit gjykues, të kryesuar nga Charles L. Smith III, me gjyqtarë Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, ndërsa Fergal Gaynor ishte gjyqtar rezervë.

“Ju mund ta quani këtë drejtësi, mund ta mbroni vendimin tuaj dhe mund të fshiheni pas emrit të Gjykatës, por për mua ky është një vendim i rëndë politikisht dhe moralisht, i ndikuar nga interesa që kanë dashur ta dëmtojnë luftën dhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Sipas tij, vendimi është marrë mbi bazën e “provave të manipuluara dhe dëshmive të pabazuara”, ndërsa personat e dënuar i cilëson si figura të rëndësishme të çlirimit të Kosovës.

Lushtaku ka kundërshtuar veçanërisht faktin që vendimi është marrë “në emër të Popullit të Kosovës”.

“Dhe padrejtësia më e madhe është se këtë vendim e morët në emër të Popullit të Kosovës! Jo! Asnjëherë në emër të Popullit të Kosovës!”, ka deklaruar ai.

Deputeti i PDK-së ka thënë se populli i Kosovës e njeh historinë e tij dhe e di, sipas tij, “kush luftoi për liri, kush sakrifikoi dhe kush ishte në anën e çlirimit”.

“Historia mund të shkruhet në dokumente gjykatash, por nuk mund të rishkruhet kundër së vërtetës së një populli”, ka shkruar Lushtaku.

Në fund të reagimit të tij, ai ka theksuar: “Jo në emrin tim. Jo në emër të Popullit të Kosovës. Lavdi për Çlirimtarët!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Partisë Demokratike kanë vendosur që t’i drejtohen Kuvendit…