Nis votimi i hershëm në zgjedhjet amerikane që mund të ndryshojnë kontrollin e Kongresit
Në shtetin federal të Virginias sot nis votimi i hershëm në zgjedhjet në SHBA, rezultati i të cilave mund të përcaktojë nëse republikanët do ta ruajnë shumicën në Kongres.
Fillimi i votimit të hershëm shënon gjashtë javët e fundit të fushatës, në të cilën amerikanët vendosin se kujt i besojnë për të udhëhequr Kongresin, në një kohë kur vendi përballet me krizën e kostos së jetesës, luftën në Iran dhe çështje të tjera të rëndësishme.
Në disa shtete, përfshirë Idahon, Minesotën dhe Dakotën e Jugut, votuesit tashmë mund t’i dorëzojnë personalisht fletëvotimet për votim në mungesë, ndërsa format më të gjera të votimit të hershëm pritet të fillojnë edhe në shtete të tjera gjatë javëve në vijim.
Zgjedhjet e 3 nëntorit përfshijnë votimin për guvernatorët dhe legjislaturat shtetërore në shumicën e shteteve federale, ndërsa do të përcaktojnë gjithashtu nëse Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati do të mbeten nën kontrollin e republikanëve, raportojnë mediat.
Nëse demokratët marrin kontrollin e Kongresit, kjo do të ndryshonte rrjedhën e dy viteve të fundit të mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump dhe me gjasë do të krijonte hapësirë për hetime dhe mbikëqyrje më të fortë ndaj administratës.

Administratorët zgjedhorë thonë se janë të përgatitur dhe të bindur se procesi i votimit do të jetë i saktë dhe i sigurt. Megjithatë, Trump ka vazhduar të kundërshtojë disa metoda të votimit dhe të përpiqet të ndryshojë mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet në SHBA, përmes sfidave gjyqësore, një kërkimi të gjerë federal për votues që nuk janë shtetas amerikanë dhe presionit ndaj zyrtarëve zgjedhorë për të ndarë të dhëna të ndjeshme për votuesit. Gjykata Supreme këtë javë hodhi poshtë përpjekjen e tij për kufizimin e votimit me postë, por përpjekjet e tjera të administratës së tij vazhdojnë.
Tensionit i shtohen edhe ndryshimet në distriktet zgjedhore për Dhomën e Përfaqësuesve, të cilat kanë prekur miliona njerëz. Sondazhet tregojnë se një në dhjetë amerikanë këtë vjeshtë jeton në një distrikt tjetër zgjedhor për Kongresin krahasuar me vitin 2024.
David Becker nga Qendra për Inovacionin dhe Kërkimin Zgjedhor tha se nuk do ta befasonte nëse presidenti vazhdon “fushatën e tij të dezinformimit dhe sulmet ndaj zyrtarëve zgjedhorë”, por shtoi se beson se “në fund procesi do të qëndrojë i fortë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme”.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të votuesve u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë më herët, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se ndryshimet në funksionimin e Shërbimit Postar të SHBA-së mund të vonojnë vulosjen e fletëvotimeve me postë.
Bashkëthemeluesja e grupit “All Voting Is Local”, Hannah Fried, tha “Votimi i hershëm, qoftë personalisht apo me postë, është i mirë për të gjitha komunitetet tona, sepse u jep votuesve mundësi, redukton turmat në ditën e zgjedhjeve dhe mund të nënkuptojë edhe rezultate më të shpejta.”
Sekretari i Shtetit të Minesotës, Steve Simon, tha se qytetarët nuk do të kenë arsye të dyshojnë në procesin zgjedhor dhe deklaroi: “Dua vetëm të konfirmoj se zgjedhjet në Minesota janë në thelb të lira, të drejta, të sakta, të ndershme dhe të sigurta”. /Telegrafi



