ShBA i shet 48 aeroplanë F-35 Arabisë Saudite, vlera 24.3 miliardë dollarë
Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të pajisjeve ushtarake Mbretërisë së Arabisë Saudite, përfshirë aeroplanët luftarakë F-35 dhe pajisje përcjellëse, në një marrëveshje që vlerësohet në 24.3 miliardë dollarë.
Nga Ambasada amerikane në Riad thanë se kjo shitje përfaqëson forcimin e sigurisë së një aleati të rëndësishëm të SHBA-së jashtë NATO-s.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke forcuar sigurinë e një aleati të rëndësishëm jashtë NATO-s, i cili përfaqëson një faktor të stabilitetit politik dhe përparimit ekonomik në rajonin e Gjirit”, thuhet në deklaratë.
Arabia Saudite e ka mirëpritur njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, duke thënë se shitja pasqyron “forcën dhe qëndrueshmërinë” e partneritetit mes dy vendeve, shkruan bbc.
“Shitja e propozuar e aeroplanëve F-35 pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e partneritetit strategjik mes Arabisë Saudite dhe SHBA-së, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit tonë në fushën e mbrojtjes”, deklaruan autoritetet saudite.
Departamenti amerikan i Shtetit e kishte njoftuar më herët Kongresin për planin për shitjen e deri në 48 aeroplanëve luftarakë F-35 Arabisë Saudite, një hap të cilin Izraeli e kishte kundërshtuar fuqishëm.
Paketa ushtarake përfshin gjithashtu 49 motorë Pratt & Whitney F135-PW-100, pajisje kriptografike, sisteme për luftë elektronike, si dhe mbështetje logjistike dhe trajnime.
Marrëveshja, e cila ende duhet të kalojë nëpër procedurën e shqyrtimit në Kongresin amerikan, mund të arrijë vlerën prej 24.3 miliardë dollarësh. Sipas ligjit amerikan, Kongresi ka 30 ditë për ta shqyrtuar shitjen dhe për të paraqitur kundërshtime.
Nëse finalizohet, kjo do të ishte hera e parë që një shtet arab do të pajisej me aeroplan luftarak amerikan të gjeneratës së pestë F-35. Aktualisht, Izraeli është i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që operon me këtë aeroplan.



