KONTROLLI I NDJESHMËRISË DHE KUJTESËS SI KUSHT I KONTROLLIT DHE DISIPLINIMIT TË VETËDIJES PËR LIRINË
Arben HOXHA
Që nga përfundimi i Luftës së fundit në Kosovë, ndjeshmëria dhe kujtesa për atë që populli shqiptar ka përjetuar gjatë pushtimit gjenocidal të Serbisë kanë qenë objekt sulmi dhe i një keqtrajtimi çnjerëzor dhe dehumanizues nga Serbia, e mbështetur nga UNMIK-u, nga politika e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe nga disa media dhe OJQ vendore.
Serbia, qëndrimin e saj ndaj luftërave që vetë i ka shkaktuar në ish-Jugosllavi, do ta ndërtojë dhe do ta shtyjë përpara mbi paradigmën e moralit relativist: të gjithë kanë qenë shkaktarë dhe pjesëmarrës në luftë; rrjedhimisht, të gjithë janë përgjegjës dhe fajtorë. Për ta shndërruar këtë perspektivë morale në një qasje politike, ajo do të vërë në lëvizje të gjithë kapacitetin e saj shtetëror kundër atyre që, dje, dolën fitues në luftën kundër saj. Rrjedhojë e angazhimeve të Serbisë, të mbështetura, nga njëra anë, nga Rusia në përcaktimin e qëllimeve dhe në përdorimin e institucionet ndërkombëtare si mjete politike, dhe, nga ana tjetër, nga orientimet mbështetëse të politikës së bashkësisë ndërkombëtare, do të jetë edhe themelimi i Gjykatës Speciale në Hagës. Bashkësia ndërkombëtare, e pranishme dhe e instaluar në Kosovën e pasluftës, si moto të politikës së saj të “stabilitetit” dhe të “bashkëjetesës” ndëretnike do ta ketë: “Lëreni të kaluarën, punoni për të ardhmen”. Ndërkaq, disa media dhe OJQ, si objekt të angazhimit të tyre opinionformues, do ta kenë “damkosjen” e atyre që paraqiten si keqbërës ndaj pronës dhe të drejtave të qytetarëve: keqbërësit janë komandantët e UÇK-së; ata nuk kanë luftuar për lirinë e Kosovës, por për plaçkitjen e saj!
Dhe asnjë fjalë për luftën, për heronjtë, për masakrat, për të vrarët, për dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve nga Kosova dhe për dëmet materiale. Programet e televizioneve tona do të gëlojnë nga emisione argëtuese, show-biz, telenovela spanjolle e turke, ndeshje futbolli etj. Të gjitha këto do të kenë një objektiv: zhvendosjen e objektit të vërtetë të ndjeshmërisë së popullit shqiptar dhe zëvendësimin e tij me një objekt iluzor: relaksimin, argëtimin dhe përmbushjen e nevojave egoiste e hedoniste. Qëllimi këtij zëvendësimi do të jetë zvetënimi i ndjeshmërisë, si dhe prishja e raportit të subjektit shqiptar me përvojën e tij të drejtpërdrejtë shqisore, gjë që do të ketë pasoja zinxhirore për konsolidimin e kujtesës kolektive dhe të vetëdijes për lirinë.
Një ndjeshmëri dhe një përvojë e çrregulluar, e çakorduar, do ta ketë të vështirë të integrohet në kujtesë. Ajo mbetet e papërvetësuar. Kur përvoja shqisore nuk përvetësohet siç duhet, kujtesa humbet materialin mbi të cilin ndërtohet vazhdimësia e vetes dhe e idesë për veten. Subjekti shqiptar do ta ketë më të vështirë ta lidhë të tashmen me të kaluarën. Kur nuk është i aftë të dijë se “çfarë dhe ku ishte”, ai nuk do të mund ta dijë se “çfarë dhe ku është”, e aq më pak do të mund të dijë se “çfarë duhet të jetë, ku dhe kah duhet të shkojë për të qenë ai që dëshiron të jetë”.
Dobësimi i ndjeshmërisë përvojore dhe i kujtesës për luftën e UÇK-së nuk përbën vetëm një përpjekje për humbjen e aftësisë për ta kujtuar dhe përjetuar lirinë, por edhe një përpjekje serioze për zhdukjen e vetë konceptit të lirisë si bazament i përmbajtjes së vetëdijes për lirinë të subjektit shqiptar.
Kujtesa që ushqehet me një përvojë të çrregulluar e ka fatin e një makine, të cilën vozitësi i saj pret që të lëvizë pa karburant. Vozitësi i makinës — vetëdija për lirinë — nuk do të mund ta kuptojë vlerën e funksionit të makinës — kujtesës —, as të karburantit — ndjeshmërisë së drejtpërdrejtë përvojore — që e vë atë në lëvizje.
Një kujtesë e mbushur me përmbajtje përvojore të çrregulluar është, në fakt, e zbrazur nga përmbajtja. Dhe një kujtesë pa përmbajtje e bën të pamundur zhvillimin e aftësive vetënjohëse për përcaktimin e vetes dhe të marrëdhënies së saj me vetëdijen për lirinë.
Thirrjet për “disiplinimin” dhe “kontrollimin” e ndjeshmërisë së popullit shqiptar kundër vendimeve të padrejta të Gjykatës Speciale në Hagë janë në vazhdën e thirrjeve 27-vjeçare për bllokimin e kursit të ndjeshmërisë së popullit shqiptar kundër padrejtësisë, stacioni i së cilës është vetëdija për lirinë.
Teza se vendimet dënuese të Gjykatës Speciale në Hagë janë kundër krerëve të UÇK-së si individë, e jo edhe kundër UÇK-së si organizatë, e aq më pak “kundër shtetësisë së Kosovës”, është thirrje për çorientimin dhe pamundësimin e ndjeshmërisë për të drejtën – si binom i pandarë me lirinë – që të hyjë në relacion me vetëdijen për lirinë. Kur vetëdija mbetet pa konceptin e lirisë, subjekti desubjektivizohet, sepse e humb aftësinë për ta kuptuar dhe realizuar veten në botë. Si i tillë, ai përherë mbetet pre e urisë së të tjerëve.



