Koci: Avokatët e Thaçit dhe të tjerëve duhet të tregojnë çka ndodhi gjatë procesit
Avokati Arianit Koci ka kërkuar që ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së të dalin publikisht dhe të sqarojnë se çfarë ka ndodhur gjatë procesit gjyqësor në Hagë dhe si erdhi deri te dënimet.
“Avokatët e Thaçit dhe të tjerëve duhet me dalë publikisht e me tregu çka ka ndodhë gjatë procesit dhe si erdhi deri te këto dënime”, ka shkruar Koci.
Ai ka ngritur pyetje lidhur me rrjedhën e procesit, duke kërkuar të dijë se ku qëndronte problemi dhe pse, sipas tij, nuk është dhënë më herët ndonjë sinjal se procesi mund të përfundonte me këto dënime.
“Interpretimet politike janë çështje e jona e brendshme. Prej ekipeve mbrojtëse presim sqarim profesional, të qartë dhe konkret”, ka deklaruar ai.
Koci ka thënë se një sqarim i tillë u detyrohet qytetarëve, pasi ekipet mbrojtëse kanë përfaqësuar, sipas tij, figura të larta shtetërore të Kosovës, duke përfshirë ish-presidentin e vendit.
Ai ka përmendur edhe shpenzimet për mbrojtjen juridike, duke pretenduar se deri tani janë ndarë rreth 40 milionë euro nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve dhe të dyshuarve nga Haga, ndërsa për katër ish-krerët bëhet fjalë për rreth 28.5 milionë euro.
“Për mbrojtjen juridike janë dhënë deri tani rreth 40 milionë euro për të gjithë të akuzuarit dhe të dyshuarit nga Haga (vetëm për këta katër rreth 28.5), prej buxhetit të Kosovës”, ka shkruar Koci.



