Vendimet e Hagës, Berisha: Asgjë s’e nxin luftën Çlirimtare të Kosovës, duhet një ekip i fuqishëm dhe kompetent për të bërë apelimin

19 shtator 2026 | 13:01

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me aktgjykimet e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe Kosovës.
Berisha ka thënë se java e kaluar “nuk ishte një javë e mirë për shqiptarët”, duke theksuar se ish-udhëheqja politike e UÇK-së dhe Kosovës mori vendime ndër më të rëndat.

Ai ka theksuar se askush nuk duhet të jetë kundër ndëshkimit të autorëve të krimeve konkrete, por ka shprehur kritika lidhur me mënyrën se si, sipas tij, është arsyetuar përgjegjësia e të akuzuarve.

“Duhet të jemi të hapur, nga ai lexim i vendimit të shkurtuar nga gjykatësi Çarls Smith, krijohet përshtypja se të akuzuarit u dënuan për linja komandimi dhe kjo natyrisht është absolutisht e paqëndrueshme në rast se ajo nuk është e faktuar me dokumente”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, UÇK-ja ishte një lëvizje guerile dhe jo një ushtri e rregullt, ndërsa ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e një lidhjeje të drejtpërdrejtë komanduese mes drejtuesve politikë dhe zhvillimeve në terren.

Berisha ka kritikuar gjithashtu atë që e cilësoi si mospërputhje në peshën e dënimeve mes ish-krerëve të UÇK-së dhe autorëve të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Shqiptarët e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë që arkitektët e Operacionit famëzi Patkoi, operacionit të spastrimit masiv etnik dhe të gjenocidit në Kosovë, të marrin dënime shumë më të lehta se sa çlirimtarët e Kosovës”, është shprehur ai.

Duke folur për themelimin e Dhomave të Specializuara, Berisha ka thënë se gjykata u krijua në Hagë për shkak të rrethanave të veçanta që lidhen me rastin e Kosovës, duke përmendur edhe vrasjen e dëshmitarëve dhe shmangien e zgjatjes së mandatit të Tribunalit për ish-Jugosllavinë në rastet e Kosovës.

Ai ka deklaruar se shumë prej elementeve të përmendura në vendimin e shkurtuar, të cilin tha se e kishte dëgjuar, nuk i janë dukur bindëse për të justifikuar dënimet.

Berisha ka kërkuar që tashmë fokusi të jetë te rruga juridike e apelimit.

“Ky problem ka apelimin si rrugë të vetme. Të gjitha përpjekjet e tjera, i garantoj qytetarët veçse sa ndërlikojnë tashmë jo vetëm ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, por edhe vetë Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, pas shqyrtimit të plotë të aktgjykimit, duhet të ndiqet pa humbur kohë rruga e apelimit, ndërsa mbrojtja duhet të jetë sa më kompetente dhe e fuqishme.

Në përfundim, Berisha ka thënë se vendimet e Gjykatës Speciale nuk mund ta zbehin, sipas tij, luftën çlirimtare të Kosovës.

“E përfundoj këtë, asgjë nuk mund të errësojë, nuk mund të zvogëlojë lavdinë e luftëtarëve të lirisë, e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila është pa dyshim faqja më e ndritur e luftërave shqiptare për liri dhe dinjitet që nga koha e Skënderbeut”, ka deklaruar Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Arianit Koci ka kërkuar që ekipet mbrojtëse të ish-krerëve…