Nuk lejojmë të rishkruhet historia nga asnjë gjykatës i shitur

19 shtator 2026 | 13:03

Shkruan: Astrit Gashi 

Të dashur vëllezër dhe motra,

Sot është koha që secili prej nesh ta ngrejë zërin, pa frikë, pa mëdyshje, pa asnjë filtër dhe pa doreza diplomatike! Sepse ajo që po ndodh në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në sytë tonë është një padrejtësi e rëndë juridike dhe një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj gjakut të derdhur për liri!

Si ish-ushtar i UÇK-së, si njeri që ka humbur dhjetëra familjarë e bashkëvendës, nuk mund të hesht përballë asaj që e konsideroj një masakër të së vërtetës historike. Nuk mund të rri duarkryq kur mbi historinë e një populli të tërë rëndon hija e një gjykimi që rrezikon të shndërrojë çlirimtarët në simbole të një historie të përmbysur!

Kjo nuk është vetëm çështje e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Është çështje e dinjitetit tonë kombëtar!

Pas vitesh hetimesh dhe procesesh gjyqësore, ne kërkojmë përgjigje të qarta se ku janë provat, ku është transparenca dhe ku është respektimi i plotë i të drejtave të të akuzuarve?

Kur ngrihen dyshime për përdorimin e materialeve nga procese të mëparshme të UNMIK-ut, EULEX-it apo Tribunalit të Hagës, kur kontestohet besueshmëria e dëshmitarëve dhe kur shtrohen pretendime për ndikime të jashtme, përgjigjja nuk mund të jetë heshtja. Duhet transparencë, verifikim dhe llogaridhënie!

I gjithë procesi u ndertua me dëshmitarë të manipuluar, të blerë apo të ndikuar nga struktura të inteligjencës serbe. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi dëshmi të rreme, interesa personale apo hakmarrje politike!

Asnjë gazetar, komentator apo dëshmitar nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë për të vërtetën. Kushdo që ka manipuluar faktet, kushdo që ka shpifur dhe kushdo që ka shitur ndërgjegjen për interesa personale, duhet të përballet me përgjegjësinë që i takon.

Emri i gjyqtarit Charles Smith dhe mënyra se si po zhvillohet ky proces duhet të jenë objekt i një shqyrtimi serioz, publik dhe të mbështetur në fakte se si ky sharlatan kishte nje mision te vetem te denoje UÇK-në!

Ekipet mbrojtese duhet të deshmojne së janë refuzuar pa arsye të drejta prova shfajësuese ku është cenuar barazia e palëve, këto nuk janë çështje teknike që mund të fshihen pas mureve të gjykatës.

Prandaj, çdo shkelje e dokumentuar duhet t’u paraqitet me argumente dhe fakte qeverive dhe institucioneve që financojnë këtë mekanizëm ndërkombëtar: në Berlin, Londër, Uashington e Bernë.

Jo me lutje! Jo me servilizëm! Por me dinjitet, dokumente dhe kërkesë të prerë për llogaridhënie!

Dhe tani vijmë te përgjegjësia që na dhemb edhe më shumë: sjellja e politikës kosovare!

Pa dallim partish, pa dallim karrigesh e pa dallim pushteti, duhet të shtrojmë një pyetje të drejtpërdrejtë:

A mjaftojnë protestat në rrugë, kur mungon një strategji e qëndrueshme institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve?

Protesta është zë qytetar. Është shprehje e dhimbjes, e revoltës dhe e kërkesës për drejtësi. Por protesta nuk mund të zëvendësojë diplomacinë, argumentin juridik dhe përgjegjësinë institucionale.

Politikanët që sot dalin para qytetarëve duhet të përgjigjen: çfarë kanë bërë, çfarë po bëjnë dhe çfarë do të bëjnë konkretisht?

Sepse nuk mjafton të flasësh për çlirimtarët para kamerave, nëse pas kamerave nuk punon për të drejtat e tyre!

Nuk mjafton të mbash fjalime patriotike, nëse nuk je në gjendje të ndërtosh një qëndrim të përbashkët shtetëror!

Dhe nuk mjafton të kërkosh besimin e popullit, nëse përballë institucioneve ndërkombëtare zëri yt humbet në heshtje!

Heshtja politike përballë shkeljeve të dokumentuara nuk është diplomaci. Është shmangie e përgjegjësisë!

Ne që kemi qenë pjesë e UÇK-së e dimë çfarë do të thotë të sakrifikosh gjithçka për lirinë. E dimë çfarë do të thotë të humbasësh familjarë, bashkëluftëtarë e bashkëvendës. E dimë se pas çdo emri të rënë qëndron një familje, një nënë, një fëmijë dhe një histori që nuk mund të fshihet me asnjë aktgjykim.

UÇK-ja nuk ishte luftë për pushtet. Ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për të drejtën që shqiptarët të jetonin të lirë në vendin e tyre!

Sot, më shumë se kurrë, na duhet unitet, guxim dhe përgjegjësi.

Jo unitet për të mbuluar gabimet e njëri-tjetrit, por unitet për të mbrojtur të vërtetën.

Jo patriotizëm për fotografi, por veprim konkret.

Jo heshtje përballë padrejtësisë, por zë i fuqishëm, i mbështetur në fakte dhe argumente!

Sepse gjaku i dëshmorëve nuk është dekor për fjalime politike. Është amanet që kërkon përgjegjësi!

Dhe kushdo që sot fshihet pas kolltuqeve, interesave partiake dhe diplomacisë së pafuqishme, duhet ta dijë se historia do ta gjykojë për atë që bëri, por edhe për atë që nuk pati guxim ta bënte.

LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT!

LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!

DREJTËSI, JO HAKMARRJE!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar…