Hamza viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Nuk janë vetëm dhe nuk do të jenë kurrë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hamza ka thënë se familjeve ua ka përcjellë mbështetjen e tij, duke theksuar se ato nuk janë vetëm.
“Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se dhimbjen e familjeve e konsideron si dhimbje të gjithë popullit dhe ka shprehur krenarinë e tij për ish-krerët e UÇK-së dhe luftën për liri.
“Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë”, ka shkruar ai.
Hamza e ka përmbyllur postimin me mesazhin: “Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!”.




