‘‘Ku gabuam’’, Majko: Kriza që prodhoi Haga s’është vetëm politike

19 shtator 2026 | 20:27

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke thënë fillimisht se, ‘’dënimet e fundit në Hagë e kanë kthyer politikën shqiptare në një varrezë ambicjesh!’’.

Majko, ka shtruar pyetjen ‘’ku gabuam’’, duke shtuar se ‘’pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na “tradhëtuan”… është veç ngushëllim!’’.

Postimi:

KU GABUAM… ?

Pas deklarimit të vendimeve të Hagës në dënimin për “krime lufte” të drejtuesve të UÇK-së, vjen një reflektim i cili bllokohet nga pyetja “Ku gabuam?”…

Dënimet e fundit në Hagë e kanë kthyer politikën shqiptare në një varrezë ambicjesh!

Prezenca e politikanëve sot, i ngjan shpejgimit dorëzues se “… në fund, nuk munda të bëj asgjë, veç të isha i pranishëm!”

Në të tilla momente njeriu sajon histori për ti dhënë kuptim të shkuarës… derisa trillimi zëvendëson të vërtetën! Ky është ngushëllim por jo justifikim!

Ngushëllimi i parë është ai që UÇK doli e pastër nga gjykimi në Hagë! UÇK po rikonsiderohet si një “ushtri e mirë” por me drejtues të akuzuar për krime lufte!…

Kriza që prodhoi Haga, nuk është vetëm politike! Ajo do të ngrejë pyetje të vështira nga shqiptarët e rinj për këtë trashëgimni e cila po legalizohet në Hagë!

Përgjigjet që nuk thuhen sot, do të kuptohen nesër!

“Krimet e luftës” për të cilat akuzohen drejtuesit e UÇK-së janë kryesisht të periudhës së PAS LUFTËS, mbas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ku Jugosllavia e mbetur, firmosi humbjen e Luftës!

“Krimet e luftës” janë pjesë e betejave politike se kush do të drejtonte Kosovën PAS LUFTES!

Tek “krimet e luftës” u paketuan dëshmitë e spiunëve të Serbisë me ata që u përplasën politikisht me ish drejtuesit e UÇK-së kryesisht, PAS LUFTES!

Tek “krimet e luftës” u ndërlidhën akuzat për korrupsion për ish drejtues të UÇK-së PAS LUFTËS!

Për ata që vlerësojnë se me gjykimin e Hagës për shpalljen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si “kriminel lufte” është vendosur drejtësia kanë një gabim në interpretim!

Serbia si aktorja më aktive e gjykatës së Hagës për dënimin e shqiptarëve nuk i intereson se cfarë ka ndodhur PAS LUFTËS! Ajo kërkon një justifikim substancial për domethënien e krimeve të saj shtetërore karshi shqiptarëve!

Serbët janë një komb i edukuar me narcizisëm! Serbia dëshiron të fitojë LUFTËN e humbur në librat e historisë!

Vendimi për “krime lufte” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë të mjaftueshme për “revanshin” në betejën e historisë së shkruajtur!

Vini re që dënimet maksimale janë për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin të cilat kanë qenë fytyrat më publike të UÇK-së gjatë Luftës!

Krenaria në historinë e shqiptarëve pas Skënderbeut nuk ka fytyra udhëheqësish! Të gjithë kanë nga një “bisht” me akuza për tradhëti apo diktatorë!

Kjo është pjesë e dramës shqiptare dhe deformimit që kundërshtarët e tyre gjeopolitik kanë nxitur! Por ajo është pasojë edhe pasionit pa kufizime dhe egos së drejtuesve të një kombi me histori shtetërore modeste!

Deformimet për ti trajtuar shqiptarët si komb i dështuar hyn tek një teknikë historike që nuk shkruhet por nënkuptohet!

Luftërat serbe fillojnë në libra për të vazhduar në realitet! Vendimi i Hagës ishte i rëndësishëm për “librin” e ri të RIKTHIMIT të Serbisë në Kosovë…

Ndaj sot, reflektimi se KU GABUAM duhet të jetë kolektiv!

Pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na “tradhëtuan”… është veç ngushëllim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
THIRRJE PUBLIKE PËR KRERËT E TË GJITHA SUBJEKTEVE POLITIKE Nga…