Albin Kurti: Qeveria do angazhohet për korrigjim të aktgjykimit të Speciales

19 shtator 2026 | 23:06

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për korrigjimin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e diasporës shqiptare në New York, Kurti tha se është e nevojshme një strategji shtetërore për reagimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, përfshirë mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në instancat e apelit dhe angazhimin diplomatik.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka theksuar se nevojitet një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik.

“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ndarë pamje nga protesta…