Ukraina kryen sulmin më të madh me dronë në Moskë, teksa Rusia voton
Ukraina ka kryer sulmin më të madh me dronë ndaj Moskës, sipas kryetarit të kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, ndërsa në Rusi po zhvillohej dita e fundit e zgjedhjeve parlamentare.
Nga sulmet me dronë në rajonin e Moskës kanë humbur jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë janë vrarë në pjesën e rajonit të Hersonit që kontrollohet nga Rusia.
Mes viktimave në Herson ishte edhe një zyrtar zgjedhor, sipas autoriteteve ruse. Sulmi ka dëmtuar gjithashtu një objekt në rafinerinë e naftës në Moskë, e cila edhe më parë ka qenë cak i sulmeve, shkruan Reuters.
Sobyanin ka deklaruar se sulmi ishte “më i madhi” me dronë ndaj Moskës dhe ka pretenduar se ishte planifikuar për të penguar zgjedhjet. Zgjedhjet për Dumën Shtetërore janë të parat që mbahen në Rusi që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë dominimin në parlament, ndërsa Kremlini pritet ta paraqesë rezultatin si mbështetje publike për politikat e presidentit Vladimir Putin dhe luftën në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë



