Lugina e Preshevës në fokus, Kamberi flet në ShBA për diskriminimin e shqiptarëve
Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, është takuar në New York me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së.Kamberi bëri të ditur se takimi u zhvillua në kuadër të delegacionit të kryeministrit së Kosovës, Albin Kurti, ndërsa një nga temat kryesore të diskutimit ishte gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Kamberit, gjatë takimit kongresisti Lawler u njoftua për atë që ai e cilëson si diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se përfaqësimi i tyre në institucionet publike mbetet shumë më i ulët në raport me përbërjen e popullsisë. Një tjetër çështje e diskutuar ishte pasivizimi i adresave të banorëve shqiptarë. Kamberi tha se kjo praktikë prek mijëra shqiptarë dhe, sipas tij, ka pasoja të drejtpërdrejta në ushtrimin e së drejtës së votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi.
“Me kongresistin Lawler biseduam për pasivizimin e adresave, që prek mijëra shqiptarë dhe që ka pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi, si dhe për adresimin e kësaj çështjeje”, deklaroi Kamberi.



