Kurti flet në ShBA për Donika Gërvallën: Ajo ka thënë shumë gjëra, por kërkesat për shkarkimin e saj janë emocionale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me kërkesat për shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe për reagimin e saj ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Kurti ka deklaruar se Gërvalla ka bërë deklarata të ndryshme, ndërsa kërkesat për shkarkimin e saj i ka cilësuar si reagime emocionale dhe si pjesë të një përplasjeje politike.
“Donika Gërvalla ka thënë shumë gjëra, por çështja është se çfarë po zgjedhni ju të shfaqni nga ato që ajo ka thënë. Mendoj se është një dëm i madh ndaj katërshes së UÇK-së, të cilët padrejtësisht janë burgosur në Hagë, që të drejtohet reagimi emocional kundër Donika Gërvallës”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se kundërshtimi ndaj tij nuk duhet të shndërrohet në sulm ndaj Gërvallës.
“Nëse jeni ju kundër kryeministrit Kurti, mos e ktheni Donika Gërvallën në objektiv dhe pastaj të provoni në këtë mënyrë ta mbroni Thaçin dhe të tjerët. Është reagim emocional ndaj objektivit të gabuar”, është shprehur Kurti.



