Osmani vazhdon aktivitetet në Amerikë, flet në organizatën ‘Women Political Leaders’
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon aktivitetet e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani është ftuar nga organizata “Women Political Leaders”, ku ka folur për ndikimin e përfaqësimit të drejtë në proceset e paqes dhe sigurisë, si dhe për ndikimin e zhvillimeve teknologjike në sigurinë globale.
Ajo ka theksuar se përfaqësimi i grave në proceset vendimmarrëse është pjesë e rëndësishme e ndërtimit të shoqërive më të sigurta, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.
“Me ftesë të organizatës ‘Women Political Leaders’, në New York, mora pjesë në një organizim të dedikuar ndikimit që ka përfaqësimi i drejtë në proceset e paqes dhe sigurisë, si dhe ndikimit të zhvillimeve teknologjike në sigurinë globale. Në një kohë kur paqja, siguria dhe demokracia po përballen me sfida të reja, edhe në hapësirën digjitale, përfaqësimi i grave në proceset vendimmarrëse nuk është vetëm çështje pjesëmarrjeje, por një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të shoqërive më të sigurta, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.



