“NE NUK HARROJMË!” – Zëri i kujtesës, i dhimbjes dhe i qëndresës

25 shtator 2026 | 11:13

Lulëzim ETEMAJ

Më 26 shtator 2026, në orën 18:00, Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur” organizon përurimin e këngës “NE NUK HARROJMË!”, kushtuar viktimave të gjenocidit të kryer nga Serbia ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Kënga, e kompozuar nga Edmond Zhulali, me tekst të Fran Laskës, interpretohet nga Enkelejda Arifi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj dhe Selami Kolonja.
Shteti i Serbisë ka kryer krime dhe gjenocid në Kosovë, e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo duhet të thuhet zëshëm, qartë dhe pa hezitim edhe në të gjitha protestat që po mbahen këto ditë, si në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, ashtu edhe jashtë vendit, kundër dënimeve politike të Gjykatës Speciale të Hagës ndaj çlirimtarëve Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Pjetër Shala.
Kënga “NE NUK HARROJMË!” do ta bëjë të kumbojë edhe më fuqishëm zërin tonë protestues. Ajo nuk është vetëm një këngë; është një thirrje për kujtesë, një dëshmi e dhimbjes dhe një zë i qëndresës. Prandaj, do të duhej të bëhej pjesë e pashmangshme e këtyre protestave dhe e çdo përpjekjeje për të mbrojtur të vërtetën historike.
Nga 26 shtatori e tutje, le të jehojë “Ne nuk harrojmë” në çdo protestë “Jo në emrin tim!” që do të mbahet. Le të bëhet kjo këngë një zë i përbashkët i kujtesës dhe i dhimbjes sonë, një jehonë që bashkon njerëzit rreth kërkesës që e vërteta të mos harrohet dhe sakrifica e viktimave të mos zbehet kurrë.
Kënga mbart një mesazh të fuqishëm kushtuar kujtesës historike dhe ruajtjes së dëshmive të gjenocidit e të sakrificës së popullit tonë për lirinë e Kosovës. Ajo synon njëkohësisht sensibilizimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar, që tragjeditë e së kaluarës të mos harrohen, që dëshmitë të ruhen dhe që drejtësia për viktimat të kërkohet me këmbëngulje.
Sepse kujtesa nuk shuhet. Dhimbja nuk harrohet. Dhe zëri i një populli që ka përjetuar tragjedi nuk mund të heshtë.
Siç thonë edhe vargjet e këngës:
“Lidhur prangash ne kënduam
Mbi k’të dhé të përgjakur,
Se shqiptari ngrihet prapë
Si Ante në qiell t’përflakur”
Këto vargje janë edhe një kujtesë se, përballë dhimbjes, humbjes dhe padrejtësisë, qëndron vullneti për t’u përballur me goditjet, për të mos harruar dhe për të dëshmuar atë që ka ndodhur.
Le të dëgjohet zëri i viktimave.
Le të ruhet kujtesa dhe të nderohen e të mbrohen sakrifica jonë dhe çlirimtarët.
Le të mos shtrembërohet historia dhe të mos harrohet e vërteta.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka miratuar Buxhetin Komunal për vitin…