OIK dhe QKMF-të forcojnë bashkëpunimin për kujdes shëndetësor më të qasshëm dhe cilësor
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësor të Kosovës (OIK) dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) nënshkruan Memorandum të Mirëkuptimit, me fasilitimin e Projektit “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor”.
Memorandumi synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe profesional ndërmjet OIK-ut dhe QKMF-ve, me fokus në avancimin e shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor dhe në krijimin e mundësive për zhvillim të mëtejshëm profesional të infermierëve.
Në ceremoninë e nënshkrimit, kryetarja e OIK, Nexhmije Gori, tha se ky memorandum përfaqëson më shumë sesa një dokument bashkëpunimi, duke e cilësuar atë si një hap konkret drejt një bashkëpunimi më të strukturuar në funksion të qytetarëve.
“Mjekësia familjare është pika e parë e kontaktit të qytetarëve me sistemin shëndetësor, ndërsa infermierët janë një pjesë e pandashme e këtij shërbimi”, tha Gori, duke theksuar rolin e infermierëve në komunitet, familje dhe institucionet e kujdesit shëndetësor.
Ajo vlerësoi se forcimi i rolit të infermierëve, mbështetja profesionale dhe mundësitë për zhvillim të vazhdueshëm përbëjnë investim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
Sipas OIK-ut, memorandumi krijon mundësi për ndërtimin e urave më të forta të bashkëpunimit me QKMF-të, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe kontributin në zhvillimin e mëtejshëm të praktikës infermierore në kujdesin parësor.
Kryetarja e OIK-ut falënderoi fascilituesit e projektit “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” për mbështetjen e këtij bashkëpunimi, duke shprehur besimin se memorandumi do të konkretizohet përmes aktiviteteve dhe rezultateve të prekshme për profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët.
Ceremonia mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtues të institucioneve shëndetësore, drejtues të QKMF-ve, përfaqësues të projektit dhe profesionistë shëndetësorë.



