KRU “Prishtina” apelon për pagesën e faturave: Borxhi ka arritur në 47 milionë euro
25 shtator 2026
| 12:42
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë thirrje për konsumatorët që t’i paguajnë me kohë faturat e ujit, duke theksuar se borxhi i akumuluar ka arritur në 47 milionë euro.
Përmes një njoftimi, kompania ka vlerësuar se niveli i borxhit po ndikon në funksionimin e shërbimit të ujësjellësit.
“Borxhi prej 47 milionë eurosh është i papranueshëm dhe dëmton funksionimin e shërbimit të ujësjellësit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ujësjellësi “Prishtina” ka theksuar se pagesa e rregullt e faturave është përgjegjësi e secilit konsumator dhe se shmangia e akumulimit të borxheve është në interes të qytetarëve dhe të një shërbimi të qëndrueshëm të furnizimit me ujë.



