Hamza për presidentin: Jemi në rrethana të reja, qëndrimet i ndërrojmë dhe i përshtatim në bazë të tyre

25 shtator 2026 | 20:25

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka lënë të hapur mundësinë që qëndrimet e PDK-së për çështje të rëndësishme politike të ndryshojnë në funksion të zhvillimeve të reja në vend.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza është pyetur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, për të cilën ka thënë se rrethanat aktuale kërkojnë një qasje të re dhe se vendimet duhet të shihen në raport me interesat e shtetit.

“Jemi në rrethana të reja, në gjendje në të cilën s’ka të bëjë me të kaluarën, ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja, ne normalisht i ndërrojmë dhe i përshtatim qëndrimet tona për çështjet të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e perspektivën e shtetit”, ka thënë Hamza pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së.

Ai ka theksuar se përballë zhvillimeve të tilla politike duhet të ketë komunikim ndërmjet partive dhe aktorëve politikë.

“Është normale që në këto situata kaq të rëndësishme të ketë takime. Por s’mund të flas për situata hipotetike”, ka deklaruar Hamza, kur është pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për president.

Çështja e zgjedhjes së presidentit është aktualisht në qendër të zhvillimeve politike në vend. Gjykata Kushtetuese, më 23 shtator, ka konstatuar se Kuvendi është konstituar dhe se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja ka përcaktuar 6 tetorin si afat për zgjedhjen e presidentit, duke konstatuar se afati kushtetues ka nisur të rrjedhë më 8 gusht.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në New York,…