Rasti Nagip Krasniqi: Adresa e Dejona Mihalit rezulton e panjohur, gjykata do të ndërmarrë masa për sigurimin e saj si dëshmitare
Adresa e Dejona Mihalit, e thirrur si dëshmitare në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejnës, ka rezultuar e panjohur.
Gjyqtari Rrahman Beqiri tha se gjykata do të ndërmarrë masa të tjera ligjore për të siguruar praninë e saj në gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancë dëshmoi punonjësja e KEK-ut, Mirvete Gërguri. Ajo tha se ish-drejtori i prokurimit, Ymer Dragusha, kishte kërkuar regjistrimin e dy kompanive në platformën e prokurimit elektronik para shpalljes së tenderit.
E pyetur nëse kompanitë ishin ftuar më parë të aplikonin para hapjes së një tenderi, Gërguri u përgjigj: “Jo s’na ka ndodhë, është hera e parë”.
Gërguri tha gjithashtu se kishte rekomanduar procedurë të hapur e të përshpejtuar, në vend të negocimit. Në seancë dëshmoi edhe zyrtarja ligjore e KEK-ut, Fjolla Bujupi-Alia.
Gjykimi pritet të vazhdojë gjatë tetorit me dëshmitarë të tjerë. Dragusha, i akuzuar fillimisht në këtë rast, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me dy vjet burgim.
Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht për urdhërat që ish-Kryeshefi pranonte nga koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.



