Dogana konfiskon 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë në Prizren
Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me duhan dhe cigare në Prizren, pas kontrollit të disa hapësirave të depos nga njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë.
Kontrolli është zhvilluar bazuar në informacione të siguruara nga terreni. Gjatë operacionit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar sasi të konsiderueshme të duhanit dhe cigareve që dyshohet se ishin të destinuara për tregti të kundërligjshme.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë kontrollit janë gjetur:
791 kilogramë duhan i grirë i paketuar;
85 kilogramë duhan i grirë i papaketuar;
21 mijë cigare “Marble” pa banderolë;
97 mijë cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Në total, autoritetet kanë ndaluar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Doganës së Kosovës, së bashku me prokurorin kujdestar. Personi përgjegjës për hapësirat ku është gjetur malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Malli i sekuestruar është dërguar për ruajtje nën mbikëqyrje doganore.
Rasti po vazhdon të hetohet në bashkëpunim ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Prokurorisë kompetente.



