Tahiri: Qeveria s’guxon ta zvarrisë procesin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

29 shtator 2026 | 11:16

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se deklarata e Kuvendit të Kosovës lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale nuk është e mjaftueshme dhe se duhet të nisë sa më shpejt procedura për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta zvarrisë këtë proces, duke kërkuar veprime konkrete institucionale.

“Kjo nuk mjafton. Prandaj Kuvendi i Kosovës duhet ta nisë procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria s’guxon ta zvarrisë këtë proces. Duhet ofruar përkrahje institucionale. Është koha për veprime konkrete institucionale. Ne si deputetë po e përcjellim kërkesën e qytetarëve. Qytetarët me plot të drejtë, secilën mbrëmje, secilën ditë, po protestojnë e po shprehin revoltën ndaj vendimit të 16 shtatorit, për padrejtësinë historike”, ka thënë Tahiri.

“Si GP dhe PDK do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë proces. U bëj apel të gjitha partive politike për unitet e kontribut konkret”, ka shtuar ai.

Tahiri ka theksuar se projektligji tashmë ndodhet në Qeveri dhe ka kërkuar që ai të kthehet sa më shpejt në Kuvend.

“Ligji tashmë është në Qeveri. Kuvendi e ka kryer punën e vet. I bëjmë thirrje që ta kthejë sa më shpejt në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mirlinda Haradini shpall të pavlefshme dëftesën e klasës së 12…