‘Nuk i falet skenës politike’, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se kanë mbetur pak ditë deri në mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.
Gruda ka thënë se nuk duhet të lejohet që një Kuvend i konstituuar të shpërbëhet pa e trajtuar, siç e ka cilësuar ai, një prej ligjeve më të rëndësishme.
“Jemi këtu për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë Ligjin për Specialen në Kuvend për miratim. Kanë mbetur pak ditë kur edhe mund të shpërndahet, me gjasë, ky Kuvend”, ka deklaruar Gruda në një konferencë për medie.
Ai ka thënë se ligji synon mbrojtjen e historisë së Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk i falet skenës politike që një Kuvend që është i konstituuar të shpërbëhet pa trajtuar ndoshta ligjin më të rëndësishëm, për ta miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë”, ka thënë ai.
Gruda ka shtuar se “asnjë vend evropian nuk pranon që tre gjyqtarë t’ia përlyejnë historinë”.



