Besnik Tahiri: Shteti nuk qeveriset në 24 orët e fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar mënyrën e funksionimit të institucioneve, duke thënë se çështjet serioze po shtyhen vazhdimisht deri në momentin e fundit.
Tahiri, në një deklaratë të tij, ka thënë se një javë para se Kuvendi të vendosë nëse vendi do të shkojë në zgjedhje apo jo, temat kryesore institucionale ende po lihen për 24 orët e fundit.
“Sot, një javë para se Kuvendi të vendosë nëse vendi do të shkojë në zgjedhje apo jo, përsëri të gjitha temat serioze mbesin për 24 orët e fundit”, ka shkruar Tahiri në ‘Facebook’.
Ai ka ngritur pyetje edhe për kthimin e Ligjit në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë, duke kërkuar që ai të trajtohet dhe të votohet në institucionin ligjvënës.
“Pse nuk kthehet Ligji në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë? Ai Ligj nuk është ndonjë dokument analitik i NASA-s. Është ligj, me disa nene, që mund të diskutohet, ndryshohet dhe votohet”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka kritikuar gjithashtu mungesën e, siç e quan ai, një diskursi serioz për zgjedhjen e Presidentit, funksionimin e shtetit dhe llogaridhënien institucionale.
“Sepse duket se qëllimi nuk është zgjidhja e krizave, por kalimi nga një krizë në tjetrën”, ka thënë Tahiri.
Në fund, ai ka theksuar se shtyrja e vazhdueshme e problemeve deri në momentin e fundit nuk përbën, sipas tij, qeverisje.
“Kjo nuk është qeverisje. Është shtyrje e vazhdueshme e problemit deri në minutën e fundit. Shteti nuk qeveriset në 24 orët e fundit.”



