Çitaku i reagon sërish ambasadorit britanik: Ia përmend telefonatën e Cameron me Khan për Natanyahun

29 shtator 2026 | 22:59

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, për standard të dyfishtë në qëndrimet rreth pavarësisë së drejtësisë.

Çitaku ka përmendur deklaratat e vazhdueshme të Hargreavesit në mbështetje të Dhomave të Specializuara dhe qëndrimin se Britania nuk ndërhyn në çështjet gjyqësore.

Ajo e ka ballafaquar këtë qëndrim me pretendimet e kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, për një telefonatë me ish-kryediplomatin britanik David Cameron.

Sipas Çitakut, Khan ka pretenduar se Cameron i kishte bërë presion para kërkesës për fletarrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Çitaku ka theksuar se Qeveria britanike më 16 janar 2026 kishte konfirmuar se telefonata mes Cameronit dhe Khanit kishte ndodhur.

Sipas pretendimeve të Khanit, të cituara nga Çitaku, Cameron kishte kërcënuar me ndërprerjen e fondeve dhe tërheqjen britanike nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

“Kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, në Kosovë flitet vazhdimisht për mosndërhyrjen dhe pavarësinë e drejtësisë, ndërsa qëndrimi ndryshon kur pretendimet prekin drejtpërdrejt Britaninë.

“Nëse drejtësia duhet të jetë e pavarur, e që pajtohem se duhet të jetë, atëherë duhet të jetë e pandikuar dhe e pavarur për të gjithë. Edhe kur bëhet fjalë për ju, zoti ambasador!”, ka shkruar Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një aksident mes dy motoçikletave ka ndodhur në rrugën “Jusuf…