Nga urrejtja në dashuri për UÇK-në

30 shtator 2026 | 10:20

Hasan Krasniqi, polic i punësuar në administratën shtetrore në Gjermani

Babai im ishte politikan i vjetër dhe e përkrahte Ibrahim Rugovën dhe LDK-në.
Natyrisht, isha i ndikuar nga babai, prandaj edhe unë dhe isha me LDK-në.

Pas luftës, na përfshiu propaganda e fabrikuar në Serbi dhe e përhapur në
Kosovë, nga njerëz që ishin brenda LDK-së, Albini, por edhe nga mediume, analistë e gazetarë të ndryshëm kundër UÇK-së.
Dhe aq shumë e urrenim UÇK-në, sa në një moment më dukej se filluam ta urrenim UÇK-në më shumë sesa policinë dhe ushtrinë e Serbisë, që na masakruan, dëbuan dhe shkatërruan në çdo vend të Kosovës.
Edhe pse në rrethin familjar na i dogjën shtëpitë disa persona.
Ishte një propagandë e bërë me një mjeshtëri shumë të madhe psikologjike. Tani, kur i analizoj gjërat, e kuptoj se këtë nuk kishte mundësi ta bënin vetëm individë. Ishte një aparat i tërë propagandistik i Serbisë, pasi Serbia dhe Rusia njihen për propagandë dhe manipulim.
Çdo gabim, edhe më i vogli, që ndodhte apo kishte ndodhur gjatë luftës, dhe pas luftës ata e merrnin dhe e rritnin aq shumë. E flisnin aq shpesh në media, nga gazetarë, analistë dhe politikanë që ishin brenda LDK-së, derisa ajo gjë bëhej bindëse.
Edhe çdo gabim i vogël i një personi, qoftë edhe në ndonjë lagje, që as nuk kishte qenë në UÇK, por që vepronte në emër të UÇK-së, përdorej kundër gjithë UÇK-së.

DISA NGA PROPAGANDAT QË MË SË SHUMTI MË DHEMB ZEMRA PSE JU BESOVA

Më dhemb zemra pse nuk logjikova.
Pse ju binda çdo shpifjeje.
Më së shumti më dhemb pse nuk logjikova kur isha admirues i Ibrahim Rugovës.
Pse Ibrahim Rugova kurrë nuk i quajti UÇK-në kriminelë, hajna, shkatërrues të shtetit etj.?
Para pak ditësh e dëgjova një video të Ibrahim Rugovës në një përballje të fortë në Hagë me Slobodan Millosheviqin.
Millosheviqi mundohej me çdo kusht të fuste përçarje mes Rugovës dhe UÇK-së, por Rugova disa herë ia tha në sy se ata nuk ishin kriminelë, por një grup shqiptarësh që luftuan për ta mbrojtur popullatën civile dhe për çlirimin e Kosovës.
Kjo më ka bërë të qaj disa minuta.
Dhe nga ajo ditë mendova shumë:
Pse Ibrahim Rugova kurrë nuk i quajti UÇK-në kriminelë, hajna apo shkatërrues të Kosovës?
Pse nuk e dëgjova Rugovën, por matrapazët?

Propaganda tjetër: “KËTA UÇK-ja E KANË SHKATËRRU KOSOVËN PËR 20 VJET”

Pse nuk logjikova asnjëherë?
Hej, Kosova ishte komplet e shkatërruar nga lufta!
Këta e ndërtuan policinë, gjykatat, doganat, Administratën Tatimore, shkollat, çerdhet, universitetet.
Në çdo fshat u asfaltuan rrugët.
U ndërtuan autostrada që as nuk mund t’i fantazonim.
U ndihmuan me subvencione shumë fabrika që sot janë liderë në Kosovë dhe eksportojnë jashtë.
Marrëdhëniet me Amerikën dhe Evropën i kishim ideale.

URREJTJA NDAJ UÇK-SË FILLOI KUR FILLOVA TA BESOJ ALBININ

Urrejtja ime ndaj UÇK-së filloi kur fillova t’i besoja Albin Kurtit dhe premtimeve të tij.
Në një moment u rreshtova me të, duke besuar në premtimet e tij.
Dhe fillova ta urreja UÇK-në edhe më shumë, sepse Albini pati një mjeshtëri shumë të lartë për manipulime, shpifje dhe propagandë.
E ka të talentuar “pocker face”.

PROPAGANDAT MË TË FUQISHME QË I BESOVA

“Këta kanë luftuar, bravo, por kur u kry lufta, është dashur të mos merren më me politikë.”
Pastaj vinte shembulli i Kroacisë:
“Atje komandantët nuk hynë në politikë.”
Po logjika është kjo:
Në Kroaci ishte shteti. Kishte qeveri, ministri, ushtri dhe institucione. Të gjithë luftuan nga pozicioni i vet dhe normalisht pas luftës secili vazhdoi në pozicionin e vet.
Ndërsa në Kosovë nuk kishim shtet!
Ku thotë logjika?
Po të isha Unë ose Ti që po lexon në vend të Hashim Thaçit, që kishte krijuar uçk me një grup të vogel, kishte bërë luftë, ishte udhëheqës Politik i UÇK-së dhe kishte luftuar për Kosovën, pasi mbaroi lufta, a do t’i thosha Albin Kurtit, Veton Surroit, Azem Vllasit:
“Na e fitum luftën, hajdeni ju tani udhëheqeni shtetin”?
A kisha bërë këtë unë? Jo, kurrë!
Po as ti që po e lexon.
Sepse në kohën kur UÇK-ja ua ofroi jetën Kosovës, disa prej këtyre rrinin nëpër hotele e kafene dhe qeshnin me UÇK-në.

Propaganda tjetër: “KOMANDANTËT MILIONERË”

Ka pasur shumë komandantë që pas luftës nuk janë marrë me politikë e as me biznes.
Kjo varet nga njeriu, çfarë profesioni ose vullneti dëshire ka.
Disa kanë vazhduar bizneset, disa politikën, disa profesione të tjera.
Disa ndoshta janë bërë milionerë.
Por nëse Veton Surroi, Albin Kurti, Visar Ymeri, ose dikush brenda LDK-së apo dikush brenda PDK-së është bërë milioner, kurrë nuk janë marrë me ta.
Por vetëm “komandantët milionerë”!
Kjo frazë u propagandua aq shumë, sa i degraduan.
Kur ndalesh dhe mendon sa komandantë janë bërë milionerë, dalin 2-4-5 komandantë.
Sa ishin në luftë? Shumë!

PO SA “MILIONERË” JANË BËRË NË LVV?

Nga Albini, sipas akuzave dhe dyshimeve që janë ngritur, me aferat e energjisë etj., mund të jenë bërë shumë njerëz milionerë.
25 miliardë € janë shpenzuar dhe unë nuk shoh projekte në përpjesëtim me këtë shumë.
Këtu ka dyshime për hajni të mëdha që duhet të hetohen.
Ndërsa për 20 vjet qeveritë e kaluara, PDK, LDK, AAK, janë shpenzuar rreth 19 miliardë €, bashkë me ndërtimet dhe rregullimet.
Kush ka pasur mundësi këtu të vjedhë më shumë, dihet qartë:
25 miliardë € shpenzime dhe sipas meje pa projekte që e justifikojnë këtë shumë.
Albini, sipas akuzave dhe dyshimeve të ngritura, është përmendur në shumë afera korruptive milionëshe, si:
* Mafia energjetike – miliarda €
* Nagip Krasniqi/KEK – mbi 35 milionë €
* Rezervat shtetërore – 7–8 milionë €
* Fabrika për mbetje – mbi 64 milionë €
* “Te dera një burimor” – mbi 600 milionë €
* etj.
Ndërsa, për shembull, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, Ramush Haradinaj sipas meje, nuk janë të përfshirë në asnjë aferë korruptive të provuar me vendim gjyqësor.

SOT E SHOH UÇK-NË NDRYSHE

Kam shikuar shumë video të luftës së UÇK-së.
Dhe ato pamje mua ma kanë shtuar një dashuri aq të madhe për UÇK-në dhe liderët e saj, sa sot admiroj më së shumti Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe gjithe ata qe ishin ne UÇK dhe Ibrahim Rugovën, Pas familjes, janë këta që i dua më së shumti në rrafshin njerëzor (se Zotin e dua së pari).
Kur e mendoj propagandën tjetër:
“Na kanë lodh, krejt Kosova kanë qenë komandantë!”
Hej, paramendo:
Nëse UÇK-ja ka pasur ushtri në shumë fshatra dhe zona të Kosovës, normalisht është dashur të ketë edhe komandantë e përgjegjës për çdo grup.
Pse na është bërë aq e madhe kjo propagandë?

PROPAGANDA TJETËR:

“Sa i përket luftës, ja pranojmë, bravo. Por pas luftës jo, se kanë vjedhur.”
Po kjo propagandë si t’i besohet?
Këta liderë të UÇK-së e shpallën pavarësinë, ndërtuan universitete, shkolla, çerdhe, rrugë në çdo fshat, autostrada.
E bënë policinë, ushtrinë, gjykatat, doganat, Administratën Tatimore.
Qeveri, ministri, institucione.
Komplet shtetin e futën në sistem.
Si e minimizojnë krejt këtë mund, o vlla?

KUR ALBINI E MORI SHTETIN

Albini e mori shtetin komplet gati.
Si një shtëpi të përfunduar.
I kishte mbetur të ndërtonte 2–3 autostrada, një termocentral për energji, disa çerdhe dhe shumë pak punë të mëdha të tjera.
Por, sipas meje, ska bërë asgjë në raport me mundësitë.
U shkatërruan shumë biznese.
U ndryshuan oligarkët dhe u afruan të tjerë.
U kap shteti, sipas kritikëve, shumë më keq se përpara.
U punësuan njerëz të lidhur politikisht dhe militantë të LVV, shpesh pa përvojën dhe kriteret që duhej t’i kishin.
Albini bëri ministra e ministresha që unë i konsideroj të paaftë, ndërsa pati edhe akuza të rënda politike për lidhje familjare me ish-strukturat e UDB-së.
VERIU
Na mashtroi me veriun.
Na tha se e çliroi.
Por, në fakt, sipas asaj që unë pashë, në një deklaratë të Albinit me Blendi Fevziun, Albini pranoi dhe u gëzua shumë që e kishte nënshkruar autonominë për serbët në Ohër.
Dhe ajo marrëveshje po zbatohet, duke u qetësuar gjendja në veri. Ia dhanë Serbisë veriun, e në shkëmbim Serbia ia dha Albinit, për propagandë, 4 lokale: kafe, bankë, market, dhe gjoja heqjen e dinarit, edhe pse me dinar punojnë prapë.
Ky nuk quhet çlirim, por tradhti kombëtare nga Albini.
Kur Serbia e mori nënshkrimin për autonominë, normalisht që pastaj mund t’i lejojë 3–4 lokale kafeje të hapen, një market, të bëhen disa fotografi në Ujman etj.

SOT, ME PAK LOGJIKË DHE MË SHUMË FTOHTËSI…

Sot, kur i shoh gjërat më ftohtë, e kuptoj shumë më ndryshe.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ibrahim Rugova, Ramush Haradinaj dhe shokët e tyre ishin patriotë të vërtetë.
Kanë punuar shumë në krahasim me mundësitë që kanë pasur.
Kanë pasur gabime.
Por përballë të arriturave:
Shumë prej atyre gabimeve sot më duken kurgjo hiq.
Unë punoj në administratë në Polici dhe, edhe pse jemi shtet i fortë në Gjermani, prapë sa gabime na ndodhin.
Por rëndësi ka gjithmonë që gjërat e mëdha të funksionojnë mbarë.
Dhe kjo është arsyeja pse sot, pas gjithë këtyre viteve, mund ta them me zemër:
Dikur e urreja UÇK-në.
Sot e dua shumë dhe e admiroj çdo ushtar, e në veçanti udhëheqësit, sepse ata kishin rrezikun shumë më të madh.
Jo sepse dua ta harroj të kaluarën.
Por sepse më në fund kam filluar ta analizoj vetë.
Dhe më së shumti më dhemb një gjë:
Pse nuk logjikova më herët?
Pse nuk e dëgjova Rugovën?
Pse u besova propagandave?
Sot e di vetëm një gjë:
UÇK-ja nuk është pronë e individëve, sepse ata që e formuan nuk e bënë për vete, por për popullin, sepse ishin rehat në Evropë shumica e liderëve të UÇK-së.
Prishën rehatinë, familjen. Shumë prej tyre ranë dëshmorë, që edhe këta liderë mund të ishin sot dëshmorë.
UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës, krenaria më e madhe e kombit shqiptar.
UÇK-ja është shkolla më e madhe në historinë mijëra-vjeçare. Si mund të arrihet suksesi nga zero, nga hiçi? Por kishin dashuri të madhe për atdheun, ishin patriotë të fortë, guximtarë, burra tamam.
Gjak shqiptari!
Ishin 5–20 persona, vendosën të formojnë ushtri, të luftojnë kundër Serbisë-Jugosllavisë, që ishte forca ushtarake nr. 1–2–3 në Evropë.
Kjo ishte çmenduri, fantazi, ishte hajgare për çdo kënd, pos tyre.
Por besoj se i nadhi Zot pa në zemrat e tyre sinqeritet të madh dhe i shpërbleu me fitoren më të madhe në historinë e Kosovës me shekuj.
Ushtarë të UÇK-së dhe udhëheqës të UÇK-së, ju dua shumë. Ju nuk e dini çfarë kontributi madhështor keni dhënë.
Mos u dëshpëroni kur dëgjoni fyerje e sharje, sepse ato mund t’i dëgjoni vetëm nga njerëz të pavlerë, ose pa kontribut kombëtar, ose anti-shqiptarë.
E kuptoj dhimbjen tuaj të madhe, sepse unë nuk isha në UÇK, por më kanë dalë lotët nga dhimbja për ju, kur kam dëgjuar fyerje e sharje të tilla.
U nisa i vetëm me veturë nga Gjermania për të marrë pjesë në marshin e 12 Shtatorit në Prishtinë.
Gjatë rrugës dëgjova vetëm këngë patriotike. Më herët kam dëgjuar vetëm muzikë të huaj: rock, hip-hop.
Nuk e kam menduar kurrë se do të më pëlqente muzika patriotike, por tani më duket një kënaqësi e veçantë.
Ju preferoj secilit: dëgjoni edhe muzikë patriotike, sepse njeriu pa atdhedashuri e patriotizëm qenka njeri i pavlerë. (Kështu më duket e kaluara ime, sa i pavlerë kam jetuar.)

Tri gjëra mësoni fëmijët, brezat e rinj:
1. Mësoni fëmijët ta duan atdheun, flisni për patriotizëm, lëshoni muzikë ndonjëherë patriotike të dëgjojnë ata, lëshoni ndonjë pjesë të luftës ta shohin.
Tregoni nganjëherë histori si Serbia na luftoi me shekuj dhe se prapë do të na sulmojë. Ata nuk heqin dorë nga Kosova.
Dhe Kosova ka nevojë çdo herë, çdo brez, për patriotizëm.
2. Mësoni fëmijët dhe brezat se duhet të mësojnë të bëhen të zotë, profesionistë të punës dhe profesionit të vet. Nëse nuk arrin të bëhesh profesionist i punës tënde, është dhimbje kur të arrish një moshë të rritur.
3. Falënderoni çdo njeri që dha kontribut për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit.
Çdo individ ka dhënë në një mënyrë kontribut:
Ai që qëndroi në shtëpi dhe ra martir, ai që dha bukë gjatë luftës popullit apo UÇK-së, ai që dha kontribut politik apo në forma të tjera.
Por nuk krahasohet asnjë kontribut me ata që ishin në UÇK:
Dëshmorët, ushtarët dhe sidomos ata që themeluan UÇK-në, ata që udhëhoqën UÇK-në.
Të bashkohemi çdo herë, gjithmonë, për Kosovën.
Të mos përçahemi, siç na bëri Albini, sikur të jemi armiq.
Kosova – dashuria jonë.
UÇK-ja – zemra jonë.
LAVDI TË GJITHË ATYRE QË DHANË JETËN PËR LIRINË E KOSOVËS!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Alban Gani Rafuna nga Prishtina shpall të pavlefshme Diplomën e…