Teatri i Poezisë e shndërron Prishtinën në kryeqytetin botëror të poezisë

30 shtator 2026 | 10:50

Teatri i Poezisë në Prishtinë mbrëmë u shndërrua në një skenë ndërkombëtare të artit dhe dialogut kulturor, duke mirëpritur 74 poetë nga 40 vende të botës, në kuadër të Kongresit të 45-të Botëror të Poetëve, që po mbahet në Kosovë nga 25 deri më 30 shtator 2026.
Për disa orë, skena e Teatrit të Poezisë bashkoi poetë, gjuhë, kultura dhe përvoja të ndryshme krijuese. Në Prishtinë u prezantuan poetë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Zelanda e Re, Greqia, Kina, Rumania, Hungaria, Meksika dhe vende të tjera, duke e kthyer kryeqytetin e Kosovës në një pikë takimi për krijues nga vende të ndryshme të botës.
Pjesëmarrësit lexuan krijimet e tyre para publikut, duke sjellë në skenë zëra dhe perspektiva të ndryshme poetike dhe duke dëshmuar rolin e poezisë si formë komunikimi përtej kufijve gjuhësorë, kulturorë dhe gjeografikë.
Kongresi i 45-të Botëror i Poetëve zhvillohet këtë vit nën frymën e kulturës, artit, shkencës dhe dijes në shërbim të paqes. Përmes leximeve poetike, takimeve dhe shkëmbimeve kulturore, aktiviteti synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi mes poetëve dhe krijuesve nga vende të ndryshme.
Mbrëmja në Teatrin e Poezisë, falë poetit Lulzim Tafa e vendosi Prishtinën në qendër të një takimi ndërkombëtar të poetëve, ku 74 zëra nga 40 vende u bashkuan në një skenë të vetme përmes artit të fjalës. Ngjarja përbën një prej momenteve të rëndësishme të programit të Kongresit dhe një tjetër dëshmi të rolit që arti dhe letërsia mund të luajnë në dialogun mes kulturave.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Policia në Prizren po vazhdon luftën kundër fajdesë me veprime…