Kryeziu-Hyseni: PDK-ja nuk e ka luksin të kushtëzojë çështjen e presidentit me ligjin për Specialen
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar PDK-në për kushtëzimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo ka thënë se çështja e presidentit është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe se partitë politike duhet t’i lënë anash interesat personale për të arritur një marrëveshje.
“Po besoj që kushtëzimet e tilla më së miri e shpërfaqin interesin e vërtetë të partive politike, sepse një parti politike si PDK, e cila ka kontribuar në krijimin e Gjykatës Speciale specifikisht, mendoj që nuk e ka aspak luksin të vërë kushtëzime të tilla”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.
Sipas saj, nuk duhet të kushtëzohet miratimi i ligjit me vazhdimin e bisedimeve për presidentin, pasi kjo çështje është me rëndësi për funksionimin dhe të ardhmen e institucioneve të Kosovës.
“Kështu që duhet me i lënë anash këto interesat personale, fatkeqësisht po është e pamundur siç po shihet prej këtyre partive politike. Gjithçka po e lidhin politikisht, gjithçka po e lidhin me interesin e vet personal, edhe prandaj po kushtëzojnë. Edhe po mendoj që PDK më së paku e ka luksin me bë kushtëzime të tilla”, ka thënë ajo.
Kryeziu-Hyseni ka paralajmëruar se nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Çështja e presidentit është shumë e rëndësishme. Nëse ka interes për një marrëveshje prej partive politike, duhet të tejkalohet maksimumi deri më datën 6 tetor. Përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje, e do të shkojmë në zgjedhje pikërisht për shkak të mosvullnetit të këtyre partive politike me bashkëpunu që ne me e zgjedh presidentin në Kuvend”, ka deklaruar ajo.



