Kurti: Zgjedhjet e reja janë të shmangshme, le të ulemi bashkë për presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit të ri, duke vlerësuar se zgjedhjet e reja mund të shmangen.
Kurti ka thënë se, përveç mundësisë për një marrëveshje të re politike, ekziston edhe mundësia që presidenti të zgjidhet në Kuvend.
“Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet e reja të përsëritura, të panevojshme, të kushtueshme, me pasoja të rënda, gjithsesi se janë të shmangshme”, ka thënë Kurti.
Ai u ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar.
“Le të ulemi bashkë sepse zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president”, është shprehur ai.
Kurti ka theksuar se Qeveria do të vazhdonte të ishte në detyrë edhe në rast të shkuarjes në zgjedhje, ndërsa ka kërkuar që institucionet të shmangin krizat e reja politike.
Sipas tij, qytetarët presin më shumë përgjegjësi nga institucionet, ndërsa Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, vazhdim të punës së ekonomisë dhe realizim të projekteve.
Kurti ka përmendur edhe deklaratën e miratuar në Kuvend për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike mbi luftën për çlirimin e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se kjo deklaratë ka hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit të brendshëm dhe ka kërkuar që institucionet të jenë funksionale për përballimin e përgjegjësive që e presin vendin.



