Zgjedhje të reja apo president
Edhe katër ditë, duke filluar nga sot, partitë politike kanë kohë që të zgjedhin presidentin e ri, ose vendi shkon serish në një cikël të ri zgjedhor.
Krerët e të gjitha partive politike janë deklaruar kundër zgjedhjeve, por ende nuk është raportuar për ndonjë takim apo konsultim mes tyre për t’i evituar ato.
Të enjten kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër, ka thënë se po të enjten do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kurti ka thënë se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte në vizitë në Kosovë.
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, ka thënë Kurti.
Ende nuk është raportuar për ndonjë komunikim apo konsultim mes tyre.
Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30 ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.
Partia Demokratike, si e dyta më e madhja në Parlament, ka thënë se tani është e gatshme të diskutojë për president, me kushtin që në Kuvend të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Aleanca është subjekti tjetër që pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj, Albin Kurti. Partia më e vogël parlamentare shqiptare vazhdon të refuzojë takimet, pa iu plotësuar kërkesat e saj, të udhëhequra nga ajo për gazin amerikan.
I vetmi subjekt që pati takime me Kurtin qe Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje kjo parti pati edhe marrëveshje me Kurtin për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër dhe u rrezikua numri prej 80 deputetësh, aq sa duhet për të zgjedhur presidentin në dy rundet e para. Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidimi. Pas 16 shtatorit, nuk është raportuar për takime mes LDK-së e VV-së.
Moszgjedhja e presidentit të ri deri më 6 tetor e çon vendin në zgjedhje të cilat duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor. E këto zgjedhje do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet. Në shkurt vitin e shkuar zgjedhjet ishin të rregullta, ndërsa më vonë në pamundësi të formimit të qeverisë u mbajtën në dhjetor. E në qershor sivjet u bënë për shkak të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur president. /Koha



