Shoqëria civile u bën thirrje partive për marrëveshje për zgjedhjen e presidentit

02 tetor 2026 | 10:03

Mbi 40 organizata të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë që të angazhohen për një marrëveshje që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit/es deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat kanë theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, me mandat të plotë dhe që përmbushin përgjegjësitë ndaj qytetarëve.

Sipas tyre, dështimi i sërishëm për zgjedhjen e presidentit/es do të sillte shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja, duke e vendosur vendin përballë një tjetër ngërçi institucional.

“Pas krizave të përsëritura institucionale dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore, kjo do ta vendoste vendin përballë një tjetër ngërçi institucional, pa pasur garancë që zgjedhjet do të jenë zgjidhje e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë të hapur këtë çështje”, thuhet në deklaratë.

Organizatat kanë kërkuar kompromis të ndërsjellë nga partitë parlamentare. Nga shumica parlamentare kanë kërkuar që të jetë e hapur ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake, ndërsa nga partitë opozitare kanë kërkuar propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme.

“Arritja e marrëveshjes për Presidentin/en kërkon kompromis të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

Shoqëria civile ka vlerësuar se një tjetër bllokadë institucionale do ta thellonte krizën dhe do ta zgjaste pasigurinë politike, duke ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se zgjedhja e Presidentit/es përmes një marrëveshjeje në përputhje me Kushtetutën do t’i mundësonte vendit të dalë nga bllokada aktuale dhe institucioneve të vazhdojnë punën.

Organizatat nënshkruese kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në këtë proces përmes lehtësimit të diskutimeve eventuale, ndërsa kanë kërkuar që në ditët e mbetura deri në afat të ndërmerren hapa konkretë për arritjen e marrëveshjes.

Deklaratën e kanë nënshkruar organizata të shumta të shoqërisë civile, ndër to ACDC, ATRC, CEL Kosova, CRP/K, Community Building Mitrovica, Democracy Plus, D4D, Dylberizm, KCSF, CDF, GLPS, INPO, KDI, Instituti GAP, IKD, KLGI, Riinvest, KMDLNj, KADC, FOL, Germin, ÇOHU!, PIPS, QKSGj, QKSS, Rrjeti i Grave të Kosovës dhe organizata të tjera.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
“Prima Talia Group PTG” SH.P.K., me Numër Unik Identifikues: 811093377,…