Komisioni rekomandon rizgjedhjen e Vlora Spancës në pozitën e Auditores së Përgjithshme
Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, i drejtuar nga zëvendëskryetari i parë, Jeton Raka, ka mbajtur mbledhjen e parë për Legjislaturën XI, në të cilën shqyrtoi dhe miratoi fushëveprimin e Komisionit.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, për rizgjedhjen e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca.
Me këtë rast, u bë me dije se Komisioni është ngarkuar me shqyrtimin e këtij vendimi dhe paraqitjen e rekomandimit përkatës në seancën plenare.
Pas diskutimeve të anëtarëve të Komisionit lidhur me këtë çështje, vendimi për rizgjedhjen e Auditores së Përgjithshme u mbështet nga shumica e anëtarëve.
Rrjedhimisht, Komisioni i rekomandoi Kuvendit që në seancë plenare të miratojë rizgjedhjen e Vlora Spancës në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.



