‘Jo në emrin tim’ aksion para Ministrisë së Drejtësisë, thirrje Gërvallës: Votojeni ligjin, koha e arsyetimeve ka mbaruar

02 tetor 2026 | 12:41

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë realizuar sot një aksion para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Pas aksionit, aktivisti dhe protestuesi Rron Kafegjolli ka thënë se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji dhe se vonesat janë të papranueshme.

“Jemi këtu sot, para Ministrisë së Drejtësisë, sepse koha e arsyetimeve ka skaduar”, ka deklaruar ai.

Kafegjolli ka thënë se, sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, është shprehur ai.

Ai ka kritikuar ministren Gërvalla dhe ministrin Murati, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt!”, ka thënë Kafegjolli.

Duke përmendur afrimin e 6 tetorit, ai i ka bërë thirrje Qeverisë të mos e zvarrisë më tej ligjin.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po i vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë!”, ka deklaruar ai.

Kafegjolli e ka përmbyllur fjalimin me kërkesën që Qeveria ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe “të rreshtohet në anën e drejtë të historisë”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Këngëtarja Eli Fara ka dëshmuar në polici në lidhje me…