3 TETORI 1989 – DITA KUR FRIKA U KTHYE NË ANËN TJETËR TË DERËS SË SIGURIMIT
(Një përballje në Istog, në ditët e fundit të një sistemi që po e humbte kontrollin mbi Kosovën)

Shkruan: Fatmir M. Shatri
3 tetori 1989 nuk ishte një ditë e zakonshme në Kosovë. Ishte një kohë kur Jugosllavia po hynte në fazën e saj të fundit të krizës politike, ndërsa Kosova po përjetonte një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të tensioneve. Pas demonstratave të vitit 1981, shqiptarët e Kosovës ishin përballur me një aparat gjithnjë e më të fuqishëm të kontrollit politik, policor dhe të Sigurimit Shtetëror. Arrestimet, hetimet, burgosjet dhe ndjekjet për motive politike kishin lënë gjurmë të thella në shoqërinë kosovare. Në vitet 1988–1989 kriza u bë edhe më e dukshme. Protestat masive shqiptare, grevat dhe kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese u përplasën me një pushtet që po e shtonte presionin mbi Kosovën. Në këtë klimë, struktura të Sigurimit Shtetëror dhe milicisë nuk përfaqësonin vetëm autoritetin policor, por, në përvojën e shumë shqiptarëve, edhe fytyrën e një sistemi që kërkonte kontroll politik përmes frikës. Në këtë atmosferë ndodhi ngjarja e Istogut. Më 3 tetor 1989, Naser Shatri u thirr në një “bisedë informative” nga Tomisllav Baboviqi, inspektor i Sigurimit Shtetëror jugosllav. Brenda një zyre të stacionit të milicisë, ajo që duhej të ishte një marrje në pyetje u shndërrua në një përplasje të armatosur. Baboviqi u plagos rëndë, ndërsa Naseri doli nga ndërtesa përmes dritares dhe u arratis. Pas tij u vu në lëvizje një aparat i tërë policor. Por rëndësia e kësaj ngjarjeje nuk qëndron vetëm te përleshja fizike. Ajo duhet parë edhe në kontekstin e marrëdhënies ndërmjet individit shqiptar dhe një aparati shtetëror që për dekada kishte ndërtuar autoritetin e vet mbi frikën, hetimin dhe ndëshkimin. T’i analizojmë në vijim këto pika:
I) Baboviqi dhe “biseda informative” si instrument presioni- Sipas dëshmive të njerëzve që punonin në administratën e Stacionit të Milicisë në Istog, Tomisllav Baboviqi ishte i njohur për mënyrën brutale të trajtimit të shqiptarëve. Sipas këtyre dëshmive, gjatë marrjes në pyetje ai e mbyllte derën e zyrës me çelës nga brenda dhe personin që kishte përballë e rrihte. Britmat, sipas tyre, dëgjoheshin në korridor dhe në zyrat përreth. Në të njëjtën kohë, dëgjoheshin fyerje dhe sharje në gjuhën serbe ndaj shqiptarëve. Këto rrëfime janë të rëndësishme jo vetëm për të kuptuar figurën e Baboviqit, por edhe atmosferën institucionale në të cilën zhvillohej marrja në pyetje. “Biseda informative” ishte një nga mekanizmat përmes të cilëve organet e sigurisë ushtronin presion mbi personat që i konsideronin politikisht të dyshimtë. Në praktikë, kufiri ndërmjet hetimit, frikësimit dhe dhunës, sipas dëshmive të shumta për periudhën, mund të bëhej jashtëzakonisht i hollë.
II) Objektivi: shqiptarët jashtë Kosovës- Sipas rrëfimeve të kohës, veprimtaria e Baboviqit lidhej veçanërisht me shqiptarët e Kosovës që jetonin dhe punonin jashtë Kosovës dhe Jugosllavisë. Nga këta persona, sipas këtyre dëshmive, kërkohej informacion për shqiptarë të tjerë dhe, në raste të caktuara, edhe bashkëpunim si informatorë. Kjo tregon edhe një dimension tjetër të veprimtarisë së Sigurimit,pra kontrolli nuk ndalej në kufijtë administrativë të Kosovës. Diaspora shqiptare, veçanërisht ajo që mund të konsiderohej politike ose e pakontrollueshme nga sistemi, shihej si burim informacioni dhe potencialisht si rrezik politik. Në këtë kuadër duhet parë edhe ftesa që iu bë Naser Shatrit.
III) 3 tetori: dera u mbyll nga brenda- Kur Naseri iu përgjigj ftesës dhe hyri në zyrën e Baboviqit, sipas rrëfimit të ngjarjes, dera u mbyll me çelës nga brenda. Ajo që ndodhi më pas do ta ndryshonte rrjedhën e gjithë ngjarjes. Sipas rrëfimit, Baboviqi tentoi ta sulmonte fizikisht Naserin dhe e kërcënoi edhe me revole. Por situata nuk përfundoi siç mund të kishte përfunduar shumë prej rasteve të tjera të marrjes në pyetje. Naseri arriti t’ia bllokonte goditjen, t’ia nxirrte revolen nga dora dhe më pas e qëlloi disa herë. Baboviqi u plagos rëndë dhe mbeti i shtrirë në dysheme. Në vend që të priste arrestimin, Naseri kërkoi një rrugëdalje. Hapi dritaren e zyrës, doli përmes saj dhe u arratis nga stacioni. Në atë moment, një njeri që kishte hyrë në një zyrë të Sigurimit Shtetëror si person i thirrur për t’u marrë në pyetje, u shndërrua në personin më të kërkuar të aparatit policor në atë zonë.
IV) Istogu vihet në rrethim- Pas të shtënave, në Istog u mobilizuan forca të shumta të milicisë dhe filloi ndjekja e Naser Shatrit. Sipas dëshmive të kohës, në operacion u përfshinë forca të shumta dhe në dispozicion të tyre u vunë edhe helikopterë të policisë dhe të ushtrisë. Kjo shkallë mobilizimi tregon se autoritetet nuk e trajtuan ngjarjen si një incident të zakonshëm kriminal. Për aparatin e sigurisë, një inspektor i plagosur brenda një objekti policor dhe arratisja e personit që kishte shkaktuar plagosjen përbënin një goditje të rëndë ndaj kontrollit institucional. Pikërisht këtu fillon edhe dimensioni politik dhe psikologjik i rastit.
V) Kur goditet miti i paprekshmërisë- Aparati i Sigurimit Shtetëror nuk mbështetej vetëm te armët dhe ligjet. Një pjesë e fuqisë së tij buronte edhe nga frika që krijonte. Njeriu që hynte në një zyrë të Sigurimit duhej ta dinte se përballë kishte një institucion me fuqi të madhe mbi fatin e tij: mund ta merrte në pyetje, ta arrestonte, ta ndiqte dhe ta burgoste. Por më 3 tetor 1989 ndodhi e kundërta. Personi i thirrur për t’u marrë në pyetje nuk doli nga dera si i arrestuar. Ai doli nga dritarja si i arratisur, ndërsa inspektori i Sigurimit mbeti i plagosur në dysheme duke uluritur dhe që i kishte mbushur pantollat me të flliqtë. Ky është dimensioni psikologjik që e bën rastin të veçantë. Frika që zakonisht udhëtonte nga institucioni drejt qytetarit, në atë moment u kthye në drejtim të kundërt: nga ngjarja te vetë struktura e sigurisë.
VI) Çfarë ndodhi brenda stacionit?- Një dëshmi për atmosferën e krijuar brenda stacionit u tregua në vitin 1990 nga Jonuz Terstena, atëherë profesor i lëndës së mbrojtjes dhe sigurisë,me të cilin kemi punuar së bashku në Shkollën e Mesme të Drenasit. Sipas rrëfimit të tij, Terstena kishte qenë udhëheqës i një ekipi ekspertësh të ardhur nga Prishtina për të hetuar rastin dhe për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e stacionit. Sipas tij, zyrtarët që ndodheshin në stacion kishin deklaruar se i kishin dëgjuar krismat e revoles dhe e dinin se ngjarja kishte ndodhur brenda objektit. Megjithatë, nga frika, nuk kishin guxuar të dilnin nga zyrat e tyre për të parë se çfarë po ndodhte, derisa kishin arritur pjesëtarët e njësive speciale. Nëse kjo dëshmi merret në kontekstin e saj, ajo paraqet një paradoks të fuqishëm,pra një institucion i krijuar për të prodhuar siguri ishte shndërruar për disa çaste në një hapësirë frike edhe për njerëzit që punonin brenda tij.
VII) Njësitë speciale nga Beogradi dhe poshtërimi i milicëve shqiptarë- Sipas rrëfimeve të disa ish-milicëve, pjesëtarët serbë të milicisë dhe të njësisë speciale të ardhur nga Beogradi ishin treguar agresivë ndaj milicëve shqiptarë. Sipas këtyre dëshmive, milicët shqiptarë shpesh ishin ofenduar dhe sharë, madje u ishte thënë se ishin “më të poshtër” sesa shqiptarët që shkruanin parulla dhe demonstronin nëpër rrugët e Kosovës. Por, sipas të njëjtave rrëfime, pas natës së 3 tetorit situata ndryshoi. Pjesëtarët e strukturave serbe, thuhet se, ishin informuar se ekzistonte një grup më i madh shqiptarësh, të ngjashëm me Naser Shatrin, që mund të ndërmerrnin sulme të befasishme ndaj stacioneve të milicisë në Kosovë. Këtu duhet bërë dallimi ndërmjet faktit të dokumentuar dhe perceptimit që qarkullonte atëherë brenda strukturave të sigurisë. Nuk është e njëjta gjë të ekzistonte realisht një organizim i tillë dhe që strukturat e sigurisë të kishin frikë se ai ekzistonte. Por edhe vetë përhapja e këtij perceptimi tregon se ngjarja kishte krijuar pasiguri të konsiderueshme.
VIII) Propaganda dhe etiketa “terrorist” e “bandit”- Ngjarja nuk mbeti vetëm brenda mureve të stacionit të Istogut. Sipas rrëfimeve për periudhën, mediat kosovare dhe jugosllave e paraqitën Naserin me etiketime të tilla si “terrorist” dhe “bandit”, ndërsa Baboviqi paraqitej si pjesëtar i aparatit shtetëror që ishte sulmuar në kryerje të detyrës. Kjo ishte edhe mënyra klasike e një sistemi politik të kontrolluar për ta përcaktuar narrativën publike,pra institucioni paraqitej si viktimë, ndërsa kundërshtari si kërcënim. Sipas rrëfimeve të kohës, mbështetje publike për Baboviqin pati edhe nga struktura të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë,sidomos degët e saja nëpër Kosovë, përmes telegrameve, deklaratave dhe paraqitjeve në media. Në këtë mënyrë, një ngjarje konkrete policore u shndërrua në çështje politike.
IX) Një rast që tronditi hierarkinë e frikës- Nëse ngjarja analizohet vetëm si një përleshje ndërmjet dy personave, humbet pjesa më e rëndësishme e saj. Rëndësia e 3 tetorit 1989 qëndron në faktin se përballja ndodhi pikërisht në hapësirën ku aparati shtetëror ndjehej më i fuqishëm: brenda një stacioni të milicisë dhe në zyrën e një inspektori të Sigurimit. Një sistem që kishte ndërtuar autoritet mbi kontrollin dhe frikën u përball me një situatë që nuk e kishte parashikuar: një person i thirrur për marrje në pyetje arriti të rezistojë, të marrë armën e inspektorit, ta plagosë atë dhe të largohet nga objekti. Prandaj, efekti psikologjik i ngjarjes nuk duhet matur vetëm me pasojat fizike të plagosjes së Baboviqit. Ajo goditi edhe perceptimin e fuqisë së institucionit.
X) Nga Istogu në një histori më të gjerë- Rasti i Naser Shatrit duhet parë brenda një periudhe kur sistemi jugosllav po përjetonte krizë të thellë dhe kur Kosova po kalonte nëpër një transformim dramatik politik. Vetëm disa muaj pas kësaj ngjarjeje, në vitin 1990, institucionet autonome të Kosovës do të përballeshin me ndryshime të mëdha dhe, gjatë viteve në vijim, marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe pushtetit serb do të hynin në një fazë edhe më të rëndë. Në këtë kuptim, 3 tetori 1989 ishte pjesë e një periudhe të ndërmjetme,pra sistemi i vjetër ende ekzistonte dhe aparati represiv ishte aktiv, por themelet politike të Jugosllavisë tashmë po lëkundeshin. Për këtë arsye, ngjarja e Istogut mund të lexohet edhe si një nga episodet e fundit të një epoke ku Sigurimi Shtetëror kishte një rol të madh në kontrollin politik të shqiptarëve të Kosovës.
XI) Arratisja si sfidë ndaj aparatit- Arratisja e Naser Shatrit pas ngjarjes nuk ishte vetëm një akt ikjeje nga vendi i ngjarjes. Në rrethanat konkrete, ajo e detyroi aparatin shtetëror të mobilizonte forca të shumta për kapjen e një personi që pak çaste më parë ndodhej nën kontrollin e tij. Kjo përmbysje e situatës është elementi që e bën rastin veçanërisht të fuqishëm në kujtesën e njerëzve që e kanë përcjellë. Nga njëra anë ishte një aparat shtetëror me polici, Sigurim, njësi speciale, mjete transporti dhe kapacitete të mëdha ndjekjeje. Nga ana tjetër ishte një njeri që, pasi kishte dalë nga dritarja e një zyre, u bë objekt i një kërkimi të gjerë. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i 3 tetorit,pra aparati që duhej të kontrollonte gjithçka, për një periudhë të caktuar humbi kontrollin mbi njeriun që kishte thirrur në zyrën e vet.
XII) Një natë që ndryshoi atmosferën- Sipas dëshmive të ish-milicëve, pas 3 tetorit ndryshoi edhe atmosfera brenda strukturave të milicisë. Nëse më parë frika ishte kryesisht e drejtuar nga aparati shtetëror ndaj shqiptarëve, pas kësaj ngjarjeje u shfaq edhe një dimension tjetër,pra frika brenda vetë strukturave të sigurisë për mundësinë e sulmeve të tjera. Edhe nëse disa nga informacionet që qarkullonin atëherë ishin të ekzagjeruara ose të bazuara në thashetheme, vetë fakti që ato krijuan alarm brenda strukturave të sigurisë është domethënës. Aparati i sigurisë nuk kishte më përballë vetëm një individ që duhej ta arrestonte. Në imagjinatën e tij operative po shfaqej mundësia e një rreziku më të gjerë.
XIII) 3 tetori 1989 dhe kujtesa historike- Tridhjetë e shtatë vjet më vonë, rëndësia e një ngjarjeje të tillë nuk duhet kërkuar vetëm në heroizimin e individit dhe as vetëm në demonizimin e kundërshtarit. Ajo duhet analizuar si pjesë e një periudhe historike në të cilën institucionet e sigurisë, politika, propaganda dhe frika ishin të ndërthurura ngushtë. Ngjarja e 3 tetorit 1989 tregon se çfarë mund të ndodhë kur një individ përballet drejtpërdrejt me një aparat që deri atëherë dukej i paprekshëm. Por ajo tregon edhe diçka tjetër,pra sa e brishtë ishte në atë kohë marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe institucioneve shtetërore jugosllave. Një “bisedë informative” mund të kthehej në përleshje të armatosur; një stacion policor në vendngjarje; një inspektor në viktimë; një i thirrur në të dyshuarin më të kërkuar. Kjo është arsyeja pse 3 tetori 1989 nuk duhet të mbetet vetëm një datë në kujtesën e atyre që e kanë përjetuar. Ai është një episod që ndihmon për të kuptuar psikologjinë e një sistemi në krizë dhe marrëdhënien e tij me shqiptarët e Kosovës në prag të një prej kthesave më të mëdha të historisë së rajonit. Në atë zyrë në Istog, më 3 tetor 1989, nuk u përplasën vetëm dy njerëz. U përplas individi me institucionin, frika me rezistencën dhe autoriteti i një aparati shtetëror me një situatë që ai nuk arriti ta kontrollonte.



