Haxhiu: Kurti dhe Sveçla dështuan të arrestojnë Endrit Thaçin e Klestor Veselin për t’ia bërë qejfin Serbisë
Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmjes, duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Haxhiu pretendon se Kurti dhe Sveçla kanë tentuar të arrestojnë Endritin, djalin e Hashim Thaçit, dhe Klestorin, djalin e Kadri Veselit, duke thënë se kjo do t’i shërbente, sipas tij, Serbisë.
Ai ka pretenduar gjithashtu se, në pamundësi për të arrestuar djemtë e ish-krerëve të UÇK-së, janë arrestuar nipat e Hashim Thaçit.
“Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla sonte kanë dështuar të arrestojnë Endritin, djalin e Hashim Thaçit, dhe Klestorin, djalin e Kadri Veselit, për t’ia plotësuar dëshirën e Serbisë.
Në pamundësi për të arrestuar djemtë e çlirimtarëve, ata kanë arrestuar nipat e Hashim Thaçit”, ka shkruar Haxhiu.
Në reagimin e tij, ish-deputeti i PDK-së e ka akuzuar Qeverinë për qëndrim kundër UÇK-së, duke thënë se “turpi dhe lakmia për pushtet e kanë kapluar këtë Qeveri anti-UÇK”.



