Hamza: Shiroka-Pula nuk ishte diskutuar më herët në PDK – e kemi ftuar në telefon, ka pranuar dhe jemi pajtuar
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas inaugurimit të presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, ka folur për situatën politike dhe rolin që pritet të ketë presidentja e re.
I pyetur nëse presidentja e re mund t’i pajtojë partitë politike, Hamza ka thënë se ajo duhet ta luajë rolin e saj kushtetues dhe ligjor.
“Presidentja do ta luajë rolin e vet brenda rolit kushtetues dhe ligjor, rolin e vet unifikues. Ndërsa partitë politike i kanë punët e veta. Ata që janë në qeveri duhet të kryejnë punën, e ne që jemi në opozitë duhet të dalim me alternativa, por edhe me kritika dhe me ide që ky vend të shkojë përpara”, ka thënë Hamza.
Hamza ka folur edhe për komunikimin me presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, duke treguar se si është arritur pajtimi për kandidaturën e saj.
“Nuk kemi pasur shumë kohë të bisedojmë. E kanë ftuar në telefon dhe i kanë thënë: ‘Znj. Shiroka-Pula, jemi në mundësi të të propozojmë edhe të jesh presidente’. Normalisht që e ka pranuar dhe jemi pajtuar”, ka deklaruar Hamza.
I pyetur nëse emri i Justina Shiroka-Pulës ishte diskutuar më herët në PDK për postin e presidentes, Hamza ka thënë se ajo nuk ka qenë e diskutuar më parë në parti për këtë pozitë.
“Nuk ka qenë asnjëherë në PDK, nuk është diskutuar emri i Shiroka-Pulës për të qenë presidente”, ka thënë ai.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pyetur nëse kishte biseduar me presidenten e re për ta bindur që ta pranonte postin, nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Kemi shumë punë përpara. Lajmi është se kemi një presidente të re”, ka thënë Kurti.



