Defekti i trafos i la 63 minatorë të ngujuar në Trepçë, Rizvanolli: Janë mirë, do të dalin gradualisht nga dalja emergjente

07 tetor 2026 | 23:03

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se minatorët që ndodhen brenda minierës së Trepçës pas një defekti në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë.

Numri i tyre raportohet të jetë 63 sosh.

Rizvanolli ka bërë të ditur se minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.

“Sipas informatave nga menaxhmenti i Trepçës, minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë. Ata janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00”.

“Ekipet teknike po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente. Menaxhmenti është në vendngjarje, ku kanë qenë edhe policia dhe zjarrfikësit”, ka thënë Rizvanolli.

Paraprakisht, Komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi, njoftoi se është djegur transformatori kryesor i këtij horizonti.

Sipas tij, ekipet janë duke punuar për nxjerrjen e minatorëve, të cilët aktualisht vazhdojnë të jenë të ngujuar.

“63 minatorë janë ngujuar. Trafo kryesore është djeg. Jemi duke punuar për nxjerrjen e tyre”, tha Ibishi.

Drejtori i prodhimit në Trepçë, Bujar Jashari tha se po punohet në sanimin e defektit, derisa u shpreh se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë.

“Janë duke punuar ekipet në sanimin e defektit. Gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë. Besojmë që shumë shpejt do ta rregullojmë problemin, do të rikthehet energjia dhe minatorët do të dalin”, deklaroi ai.

Lidhur me këtë ngjarje, ka folur edhe drejtoresha e Drejtorive për Siguri dhe Emergjenca në Mitrovicë, Fitore Mehmeti-Behmari, e cila poashtu tha se gjendja e tyre është e mirë.

“Zjarrfikësit janë duke tentuar të hyjnë brenda. Momentalisht, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, por shpresojmë të mos zgjasë shumë”, thuhet në konfirmim.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Këngëtari shqiptar Capital T (Truekapo)  ka paralajmëruar një projekt të…