Rivalë në fushë, respekt jashtë saj: Mesazhi i Cristiano Ronaldos për Messin

08 tetor 2026 | 11:46

Lionel Messi ka dhënë një mesazh emocional pas ndeshjes së tij të fundit me fanellën e Argjentinës, duke konfirmuar se është i bindur për vendimin që ka marrë.

“Dje ishte ndeshja ime e fundit dhe tashmë më mungon të vesh celeste y blanca. E di se po marr vendimin e duhur. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me gëzime, por edhe me disa trishtime. Megjithatë, e kam të qartë se çdo hap ia ka vlejtur”, ka shkruar Messi në “Instagram”.

Ylli argjentinas ka pranuar se ka ende shumë për të thënë dhe se emocionet e tij janë të pamundura për t’u përmbledhur në vetëm disa fjalë apo në një postim.

Messi ka falënderuar veçanërisht familjen e tij, e cila, sipas tij, ka qenë gjithmonë pranë tij, sidomos në momentet më të vështira.

“Ky udhëtim do të kishte qenë i pamundur pa familjen time, e cila ka qenë gjithmonë në krahun tim dhe më ka mbështetur, veçanërisht në momentet e vështira, kur kisha më shumë nevojë”, është shprehur ai.

Ish-kapiteni i Argjentinës nuk i ka harruar as miqtë, shokët e skuadrës, trajnerët dhe të gjithë anëtarët e stafit teknik me të cilët ka ndarë këtë rrugëtim.

Në mesazhin e tij, Messi ka përmendur edhe Diego Maradonën, të cilin e ka cilësuar si një figurë që e ka vendosur Argjentinën aty ku e meritonte.

“Dhe nuk dua të harroj Diegon, i cili e vendosi vendin tonë aty ku e meritonte dhe që, siç them gjithmonë, e di se na ndihmoi, duke qenë këtu me ne, por edhe nga qielli, në çdo hap që hodhëm”, ka shkruar Messi.

Ai ka falënderuar gjithashtu klubet ku ka luajtur, për respektin dhe mundësinë që i kanë dhënë për t’iu bashkuar kombëtares sa herë që ishte koha për të veshur fanellën e Argjentinës.

Messi ia ka atribuuar një pjesë të këtij rrugëtimi edhe besimit të tij te Zoti.

“Dhe, sigurisht, faleminderit Zotit. Pa udhëzimin dhe vullnetin e Tij, as nuk do të ëndërronim të kishim arritur deri këtu.”

Messi e ka mbyllur mesazhin me fjalë mirënjohjeje për të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë këtij kapitulli të jashtëzakonshëm të karrierës së tij.

“Jam mirënjohës. Ju dua shumë, do t’ju marr malli dhe gjithmonë do t’ju falënderoj që keni qenë pranë nesh, pranë meje”.

Postimi emocional i Messit ka marrë mijëra reagime nga futbollistë dhe tifozë, ndërsa një prej komenteve më të veçanta ka qenë ai i Cristiano Ronaldos.

Ronaldo i ka lënë një mesazh rivalit të tij të përjetshëm në futboll, duke vlerësuar karrierën dhe kontributin e Messit me kombëtaren argjentinase.

“Leo, kaq shumë vite duke mbrojtur vendin tënd dhe një histori që do të zgjasë përgjithmonë. I gjithë respekti im për atë që ke arritur me Argjentinën. Një përqafim”, ka shkruar Ronaldo, transmeton “Klankosova.tv”.

Komenti i yllit portugez ka marrë menjëherë miliona pëlqime dhe është kthyer në një nga reagimet më të komentuara në postimin e Messit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Ramon Vega, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij…