Danimarka planifikon t’u lejojë mësuesve të përdorin forcë fizike ndaj nxënësve
Një projektligj i ri në Danimarkë ka nxitur debat, pasi parashikon t’u japë mësuesve të drejtën të përdorin forcë fizike ndaj nxënësve në situata të caktuara, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve në shkolla.
Sipas gazetës franceze “Le Monde”, mësuesit mund të lejohen ta ndalojnë fizikisht një nxënës ose ta largojnë me forcë nga klasa, nëse ai refuzon të dalë dhe pengon zhvillimin e mësimit. Për këtë nismë ka raportuar edhe gazeta “Bild”.
Ndërhyrja fizike do të mund të lejohej edhe në rastet kur nxënësi paraqet rrezik për veten ose të tjerët, shkatërron sende apo pengon seriozisht zhvillimin e orës mësimore.
Ministri i Arsimit, Magnus Heunicke, ka deklaruar se synimi i projektligjit është të sigurojë qetësi dhe rend në shkolla, si dhe t’u japë mësuesve më shumë siguri për mënyrën se si mund të veprojnë kur një situatë del jashtë kontrollit.
Nisma vjen pas shqetësimeve për rritjen e dhunës në shkollat daneze. Sipas një studimi të autoritetit danez për mbikëqyrjen e punës, më shumë se një e katërta e mësuesve kanë raportuar rritje të sjelljeve të dhunshme dhe përçarëse, ndërsa në çdo klasë të pestë dhuna drejtohet edhe ndaj mësimdhënësve.
Projektligji pritet të shqyrtohet dhe të votohet në Parlament. Nëse miratohet, Danimarka do të jetë ndër vendet e pakta evropiane që u lejojnë mësuesve të përdorin forcë fizike në rrethana të caktuara, krahas Anglisë, ku lejohet përdorimi i forcës së arsyeshme për ruajtjen e disiplinës në klasë.



