Mjekësia e Kosovës përfiton 41 milionë euro për modernizimin e spitaleve publike
Kosova do të përfitojë 41 milionë euro investime për modernizimin e pajisjeve mjekësore në institucionet publike shëndetësore, pas nënshkrimit të marrëveshjeve të financimit me dy institucione financiare evropiane.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB).
Secili prej këtyre institucioneve do të kontribuojë me nga 20.5 milionë euro, të cilat do të shfrytëzohen për blerjen e pajisjeve moderne mjekësore për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe gjashtë spitalet e përgjithshme rajonale.
Investimi përfshin pajisje të avancuara për diagnostikim dhe trajtim, si skanerë CT, pajisje ultrazëri dhe pajisje për sallat e operacionit. Po ashtu, parashihet edhe përmirësimi i kapaciteteve të njësive të kujdesit kritik.
Projekti synon të përmirësojë cilësinë dhe qasjen në shërbimet publike shëndetësore për rreth 1.6 milion qytetarë, duke lehtësuar diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj pacientëve në të gjithë vendin.
Për përgatitjen e projektit ka kontribuar edhe Bashkimi Evropian, përmes një granti prej 1.25 milion eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Ndërkaq, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës ka miratuar edhe një grant shtesë deri në 750 mijë euro për mbështetjen me ekspertë gjatë zbatimit të projektit.
Përmes këtij investimi, synohet që institucionet publike shëndetësore të pajisen me teknologji moderne, ndërsa qytetarëve t’u ofrohen shërbime më cilësore dhe më të qasshme.



