UP-ja shqyrton mundësinë e akreditimit ndërkombëtar AACSB për Fakultetin e Ekonomisë
Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore në Universitetin e Prishtinës, prof. Majlinda Gjelaj, zhvilloi një takim me z. Jesus M. Valverde Carnerero, engagement manager, ku mori pjesë edhe prof. asoc. Gentrit Berisha nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës.
Në takim u diskutuan AACSB Global Standards for Business Education dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të cilësisë dhe ndërkombëtarizimit të programeve të studimit në fushën e ekonomisë dhe biznesit në Universitetin e Prishtinës.
Në fokus të takimit ishte mundësia që Universiteti i Prishtinës, përmes Fakultetit të Ekonomisë, të fillojë përgatitjet për një proces të ardhshëm të aplikimit për akreditim ndërkombëtar nga AACSB International (Association to Advance Collegiate Schools of Business).
AACSB-ja është organizatë globale që përcakton standarde për cilësinë e edukimit në fushën e biznesit dhe mbështet shkollat dhe fakultetet e biznesit nëpërmjet akreditimit, zhvillimit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të praktikave ndërkombëtare. Rrjeti i saj përfshin mbi 2,000 organizata anëtare dhe mbi 1,000 shkolla të akredituara në më shumë se 100 vende dhe territore.
Gjatë takimit u diskutuan veçanërisht Standardet Globale të AACSB-së për Edukimin në Biznes, të cilat ofrojnë një kornizë ndërkombëtare për sigurimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë. Standardet vendosin theks në menaxhimin strategjik, suksesin dhe përvojën e studentëve, cilësinë dhe angazhimin e personelit akademik, mësimdhënien, kërkimin shkencor, inovacionin dhe ndikimin shoqëror.
Prorektorja Gjelaj theksoi rëndësinë që Universiteti i Prishtinës u kushton ndërkombëtarizimit të sigurimit të cilësisë dhe përafrimit të programeve akademike me standarde të njohura ndërkombëtarisht. Në këtë kuadër, shqyrtimi i mundësisë për akreditim AACSB paraqet një hap potencial drejt rritjes së dukshmërisë ndërkombëtare të Fakultetit të Ekonomisë dhe forcimit të kulturës së përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë.
Palët diskutuan hapat që mund të ndërmerren për të vlerësuar gatishmërinë institucionale dhe për të identifikuar fushat ku nevojitet zhvillim i mëtejmë në raport me kërkesat e AACSB-së. Universiteti i Prishtinës do të shqyrtojë mundësitë për vazhdimin e këtij dialogu dhe për inicimin e një procesi përgatitor me Fakultetin e Ekonomisë.



