Veprimtari Sali Bislimi i shkruan komisioneres Marta Kos
Veprimtari Sali Bislimi i ka dërguar një letër komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me deklaratat e saj për ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në raport me Dhomat e Specializuara.
Në letrën drejtuar Kosit, Bislimi, në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri Perëndimor i Kosovës” dhe drejtuesit të zyrës ligjore “First-Consulting”, me seli në Bernë të Zvicrës, shpreh kundërshtimin e tij ndaj qëndrimit të komisioneres evropiane.
Ai vlerëson se deklaratat e Marta Kosit, sipas të cilave zbatimi i ndryshimeve të miratuara mund të ndikojë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, janë të mbrojtshme nga pikëpamja ligjore, por të papranueshme politikisht dhe historikisht.
Në letrën e tij, Bislimi e trajton çështjen nga këndvështrimi historik dhe politik, duke kundërshtuar, sipas vlerësimit të tij, trajtimin gjyqësor të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai gjithashtu i referohet të drejtës së popujve për vetëvendosje, të sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se krijimi i një gjykate të posaçme dhe dënimi i atyre që i konsideron çlirimtarë të popullit të Kosovës bien ndesh me këtë parim.
Në fund të letrës, Bislimi i kërkon komisioneres Marta Kos një takim, me qëllim që, siç shprehet ai, çështja të diskutohet me qetësi dhe drejtësi.
Ai i kërkon asaj që ta kontaktojë përmes postës elektronike për të koordinuar një takim të mundshëm.
Postimi i plotë i tij:
Letër drejtuar komisoneres për zgjerim të BE zonjës Marta Kos,
Deklaratat tuaja në lidhje me ndryshimet e fundit kushtetuese të miratuara nga Parlamenti i Kosovës në lidhje me Dhomat e Posaçme të Kosovës.
Zonja Komisionere Evropiane për Zgjerim,
Referencë bëhet për dosjen e shënuar nën titullin.
Si drejtor i OJQ-së “Zëri Perëndimor i Kosovës” dhe drejtus i vetem i zyres ligjore First-consulting me seli në Bernë, Zvicër , po ju shkruaj në lidhje me deklaratat tuaja në lidhje me ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Parlamenti i Kosovës.
Duket se po e vini drejtpërdrejt në pikëpyetje kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, nëse ndryshimet e lartpërmendura do të zbatohen.
Ligjërisht, qëndrimi juaj është i mbrojtshëm.
Politikisht dhe historikisht, është i papranueshëm.
Së pari, dhe pas një shqyrtimi historik dhe politik të situatës, nuk ekziston asnjë precedent ligjor për dënimin e ish-udhëheqësve dhe figurave politike të një kombi, me përjashtim të gjyqeve të Nurembergut dhe Tokios. Megjithatë, këto procedura ndryshojnë në thelb, për aq sa akuzat ishin të ndryshme dhe dënimet synonin ekskluzivisht agresorët. Në rastin tonë, të dënuarit janë çlirimtarët e popullit kosovar nga shtypja serbe në Ballkan.
Për më tepër, e drejta e popujve për vetëvendosje është një rregull themelor dhe i paprekshëm i së drejtës ndërkombëtare, i sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Kjo nënkupton, në veçanti, se krijimi i një gjykate të posaçme dhe, mbi të gjitha, dënimi i çlirimtarëve të një kombi bie ndesh rëndë me këtë parim themelor.
Përndryshe, asnjë pakicë politike nuk do të jetë në gjendje të pohojë të drejtën e saj për pavarësi.
E nderuara Zonja Komisionere Evropiane për Zgjerim, prandaj do të doja të takohesha me ju për të diskutuar këtë çështje me qetësi dhe drejtësi.
Do t’jua lë juve të më kontaktoni me email, sipas dëshirës suaj.
Ndërkohë, deri ne përgjigjen tuaj, ju lutem pranoni, e nderuara Zonjë, respektin tim më të lartë dhe pershendetjet e mia më të sinqerta.




